Takimi Rama-Meta/ Frika nga atentat, forca sigurie rrethojnë hotelin e takimit

Forca të shumta sigurie janë parë mëngjesin e sotëm pranë Hotel Tirana aty ku do të mbahet takimi Rama-Meta në orën 10.00. Takimi pritet të vendosë edhe fatin e koalicionit midis LSI-së dhe Partisë Socialiste. Këto masa vijnë edhe pas sinjalizimeve se faktorë  të jashtëm janë të interesuar për të shkaktuar trazira në Shqipëri dhe vendet e rajonit. Sikundër u mësua se ka sinjalizime edhe për një atentat të mundshëm ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, më qëllim destabilizimin politik të vendit shkruan opinion i Blendi Fevziut. Ndaj nga mbrëmë dhe deri me sot është mbajtur nën kontroll gjithçka nga shërbimet e specializuara si dhe ka patur përforcime jo vetëm nga garda e Republikës, por edhe nga civilë të armatosur në çdo cep të hotelit.

Ky kontroll dhe ruajtje vjen pasi në Shqipëri dyshohet se ndaj drejtuesit të opozitës Lulzim Basha ka patur sinjale për kërcënime serioze të sigurisë së tij. Ky fakt i cili qarkulloi në media u konfirmua parmbrëmë nga presidenti Bujar Nishani gjatë një intervistë për emisionin “Arena” në televizionin “Ora News”. “Fakti i sigurisë të liderit të opozitës; mund t’ju them vetëm këtë (sepse nuk mund të hyj sot në detaje sepse është çështje shumë e ndjeshme), tashmë është duke u konsideruar dhe unë besoj do të konsiderohet me seriozitet nga agjencitë kryesore ligjzbatuese në vend”, u shpreh presidenti Nishani.

Mediat në Shqipëri kanë folur për një skenar të jashtëm i cili synon destabilizimin e vendit, me pasoja në rajon, në një moment tensioni të lartë politik, kur opozita prej 8 javësh po proteston përpara zyrave të kryeministrisë për të kërkuar një qeveri teknike e cila do të garantonte sipas saj zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor. Në këtë linjë ka folur edhe presidenti Nishani kur u pyet për këtë çështje. “Siguria e aktorëve kryesor politikë sidomos në situata shumë të tensionuara politike që mund të eskalojnë në tensione sociale, është një element shumë serioz. E dyta, asnjëherë nuk duhet të neglizhojmë faktin që nuk kemi vetëm miq, por ka edhe mjaft aktor të cilët punojnë dhe synojnë dhe investohen për të destabilizuar Shqipërinë, për të destabilizuar rajonin”, deklaroi kreu i Shtetit.

Fakt është që prej disa ditësh masat e sigurisë për zotin Basha janë përforcuar me trupa dhe mjete shtesë, ndërkohë që ka rënë në sy se dhe kreu i opozitës ka ndryshuar rutinën e lëvizjeve të tij të zakonshme. Vetë zoti Basha nuk është shprehur për këtë çështje, ndërsa sot kryeministri Edi Rama pranoi se ka patur një informacion të tillë por se ka qenë jo fort i pabesueshëm: “Ka pasur një informacion, që është trajtuar me seriozitetin më të madh dhe pavarësisht se gjithë ekspertiza tregon se informacioni nuk është mjaftueshmërisht i besueshëm dhe burimi është kontradiktor, janë marrë të gjitha masat njësoj sikur kjo ishte diçka realisht e vërtetë. Sepse patjetër që siguria e të gjithë njerëzve dhe pa diskutim dhe e kryetarit të Partisë Demokratike është prioritet numër një, nëse kërcënohet”.

Edhe në Kosovë po merren masa ekstreme nga forcat e sigurisë për ruajtjen nga ndonjë atentat ndaj drejtuesve te shtetit.

Në Kosovë autoritetet thanë se kanë marrë informata që grupe të caktuara kanë planifikuar sulme ndaj disa udhëheqësve institucional dhe politikë të vendit. Këto njoftime u bënë publike në një komunikatë të Këshillit për Siguri të Kosovës në të cilën thuhet se “pas shqetësimeve të ngritura në opinionin publik, ky këshill informon qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues“.

Në njoftim thuhet se “grupet e tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës“.

Njoftimi pasoi shkrimet në mediet vendëse për shtim të masave të sigurisë gjatë kremtimeve me rastin e festës së pashkëve nëpër kishat e Kosovës si dhe njoftimet se ambasadat amerikane në Prishtinë, Shkup e Tiranë kanë paralajmëruar qytetarët amerikanë që të jenë të kujdesshëm gjatë kremtimeve dhe “gjatë pjesëmarrjes në festivale apo ngjarje të caktuara”.

Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike. Rishikoni planet tuaja të sigurisë: rrini të vëmendshëm për vendndodhjen tuaj, përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe shikoni televizionet për përditësim të lajmeve”, thuhet në këshillën që ambasadat amerikane u kanë shpërndarë qytetarëve amerikanë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës që ishte mbledhur edhe të enjten, tha të premten se shqetësimet lidheshin më planet e për veprime kundër disa udhëheqësve institucionalë dhe politikë të Kosovës

Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës“, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së udhëheqësve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe të tilla kriminale.

Këshilli për Siguri i Kosovës konsideron se synimet dhe aktet e tilla duhet të dënohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës, nga Qeveria, Parlamenti dhe shoqëria civile. Ndërkaq, organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të parandaluar akte që rrezikojnë jetën e njerëzve, stabilitetin e vendit dhe rendin kushtetues dhe që bartësit e grupet e tilla të sillen para drejtësisë“, thuhet në njoftim.

Ndërsa policia e Kosovës tha se gjendja aktuale e sigurisë së përgjithshme në Kosovë është e qetë dhe e qëndrueshme.

Në një njoftim të policisë thuhet se ajo është duke zbatuar “disa veprime operacionale të planifikuara, që ndërlidhen me manifestimet për festat e pashkëve, e që një qasje e tillë policore aplikohet edhe në rastet e tjera të manifestimeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm. Policia e Kosovës çmon lart bashkëpunimin me komunitetet fetare lidhur me manifestimin e këtyre festave dhe po ashtu falënderon të gjithë qytetarët për nivelin e lartë të vetëdijes qytetare për të respektuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve, si një nga vlerat fundamentale të shoqërisë demokratike“.

 Po kështu ka informacione se edhe në çadrën e lirisë ka përforcime të shumta me civilë të gardës si dhe ish-oficerë policie dhe SHIK të kohës se pushtetit të PD-së, të cilët kontrollojnë dhe njëkohësisht ruajnë liderin e opozitës Lulzim Basha.

SHKARKO APP