Takimi Trump-Kim Jong Un. Meta: Presidenti i SHBA-ve tregoi përgjegjësi të larta globale
Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Presidenti Meta shprehet se Presidenti i SHBA, Donald Trump tregoi lidership me paktin e arritur me Korenë e Veriut.
“Përshëndes përfundimet e Samitit të Singaporit. Presidenti Trump tregoi lidership, vendosmëri, mençuri e përgjegjësi të lartë globale duke treguar sërish se SHBA mbeten miqtë më të mirë, më të besuar dhe më të vendosur për paqen dhe stabilitetin në Botë. Krenarë për partneritetin me këtë vend të madh”,- shkruan kreu i shtetit shqiptar në mesazhin e tij.
Ditën e sotme Donald Trump dhe Kim Jong Un nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në Singapor duke u dhënë fund tensioneve. Marrëveshja ka synim çarmatosjen e plotë bërthamore të Koresë së Veriut.
Dokumenti gjithashtu bën thirrje që të dy vendet të bashkojnë përpjekjet për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme në Gadishullin Korean, për të krijuar marrëdhënie të reja mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut dhe për të rimarrë eshtrat e të burgosurve të luftës dhe të anëtarëve ushtarakë që konsiderohen të zhdukur. Të dy palët premtuan gjithashtu se do të vijojnë bisedimet mes tyre.
Kjo marrëveshje është përshëndetur nga organizatat ndërkombëtare, pasi shihet si hap që normalizon marrëdhëniet dhe shmang kërcënimet nga armët bërthamore.