Taulant Balla: Basha përdor skema mafioze me një mashtrues të dënuar
Kreu i deputetëve të PS, Taulant Balla hodhi poshtë sot akuzat e reja të PD-së ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Në një konferencë urgjente për mediat, Balla tha se dëshmia e “Dëshmitarit X”, Albert Veliu, që u publikua sot nga PD është një mashtrim i madh publik. Ai ftoi prokurorinë të hetojë dhe të paralajmëroi se autorët e mashtrimit publik do të përgjigjen para ligjit.
“Dëshmia e “dëshmitarit X” është kthimi i një partie politike në një organizatë kriminale që përdor forma mafioze. Sot rezulton se Lulzim Basha është autori i video përgjimit të montuar, me të cilin ka shpresën e fundit të bllokojë negociatat e Shqipërisë në BE. Asnjëherë nuk ishte parë që një parti politike të përfshihej në një skemë kriminale mafioze”,- tha Balla.
Në emër të Partisë Socialiste, Balla akuzoi Lulzlim Bashën si ideatorin e gjithë skemës kundër ministrit të Brendshëm. Balla tha se dëshmitari i PD është paguar nga opozita dhe ditën e sotme është tentuar të largohej nga territori i Shqipërisë.
“Jemi para një skandali tepër të madh ligjor dhe politikë, ndaj prokuroria është organi i vetëm dhe gjithë pranuar për të ushtuar të gjitha përgjegjësitë. Dëshmitari rezulton se është paguar dhe madje kanë tentuar ta nxjerrin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Të gjithë personat e përfshirë duhet të shkojnë në prokurori dhe të japin njohjet që kanë për këtë çështje. Personat përgjegjës për këtë inskenim të turpshëm duhet të dënohen ashpërsisht”,- tha Taulant Balla.
Balla zbuloi se personi që PD paraqiti si dëshmitar është dënuar për disa vepra të ndryshme penale dhe nuk mund të merret në konsideratë dhe as të komentohet.
“Nuk ja vlen të debatosh për vërtetësinë e deklarimeve të këtij njeriu, që edhe pa e ditur fare kush është, duke qartë që është jë mashtrues i rëndomtë i dënuar disa herë për disa vepra penale nga më të ndryshme. Personi që pretendon se ka qenë në bashkëbisedimin e bërë publik nga PD, ndërmjet tij dhe vëllait të ministrit të Brendshëm është tregues i shndërrimit të një partie politike në një organizatë të rrezikshme që përdor forma mafioze të adresimit të interesave të tyre. Ky person të hetohet dhe të dalë para drejtësisë, ose të merret në mbrojtje për dëshminë e bërë, ose të përballet me akuzat e dëshmisë së rreme”, u shpreh Balla.
Deklarata e plotë e Taulant Ballës:
“Historia e pluralizmit në Shqipëri ka njohur, dhe besoj edhe në të ardhmen do të shënoj, raste kur lufta politike ndërmjet forcave politike kundërshtare ka shkuar në ekstremet më të mëdha të një konflikti politik.
Por asnjëherë deri më sot nuk ishte e parë, dhe jo vetëm këtu në Shqipëri, që një parti politike të humbiste kaq rëndë arsyen aq sa të përfshihej në një skemë mirëfilli kriminale mafioze.
Sinqerisht deri dje kemi besur se interesa të caktuara të grupeve kriminale, apo të intrigantëve të ndryshëm, kishin shfrytëzuar interesin legjitim të një opozite, në rastin konkret të PD-së për të gjetur dhe denoncuar fakte që diskreditojn qeverinë.
Kemi menduar se naiviteti i lidershipit të PD bëri që kjo parti të përfshihej në një skemë të pastër të shantazhit kundër ministrit përgjegjës për luftën kundër krimit.
Ajo çfarë ndodhi sot me paraqitjen publike të personit që pretendon se ka qënë në bashkëbisedimin e bërë publik nga PD, ndërmjet tij dhe vëllait të ministrit të brëndshëm, është tregues i shndërrimit të një partie politike në një organizatë që përdor forma mafioze të adresimit të interesave të tyre.
Dhe mësë pari sot, për fatin e keq të të gjithëve ne, rezulton se se Lulzim Basha është autor, regjisor dhe aktor i videopërgjimit të montuar, me të cilin shpreson të bllokoj negociatat e Shqiperisë me BE.
Nuk ja vlenë të debatosh për vërtetësin e deklarimeve të një njeriu që edhe pa e njohur dhe pa e ditur kush është, si drita e diellit duket qartë që është një mashtrues fare i rëndomtë i dënuar disa herë dhe për disa lloje veprash penale !!
Ajo çfarë duhet të sjellim fortë në vëmendje të opinionit publik dhe vecanërisht të institucioneve përgjegjëse shtetërore është fakti se është e rrezikshme për fatin e demokracisë skema dhe metoda që përdor PD.
Si mundet një parti politike në një vend të Europës të ketë këtë sjellje me ligjin e institucionet?!
Si ka mundësi që një parti politike në një vend europian përfshihet në inskenime mafioze ?!!
Partia Socialiste do t’i shkoj deri në fund këtij shantazhi kundër shtetit, duke kërkuar të nis hetim penal ndaj këtij mashtrimi politik, të prodhuar në zyrat e Shqup.
Një individ me një skedë të rëndë kriminale brenda e jashtë vendit që pranon publikisht se është përdorur nga PD për këtë mashtrim, duhet të përballet me drejtësinë, bashkë me regjisorin e tij.
Situata është shumë e rrezikëshme.
Ky person duhet ose të merret i pandehur, ose mqs PD e konsideron dëshmitarin e vetë të merret në mbrojte të posacme nga prokuroria e krimeve të rënda. Çdo gjë mundet të pritet nga ata që e thirrën për ta përdorur për të fabrikuar dëshmi të tilla dhe më pas i prenë biletën për ta larguar nga vendi.
Ky është një sulm i rrezikshëm kundër institucioneve të shtetit, ndaj prokuroria duhet të veprojë sa më shpejt dhe me sa më shumë vendosmëri për ti shkuar deri në fund kësaj çështje.
Jemi përpara një skandali të madh ligjor dhe politik, ndaj prokuroria të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë për sa më sipër”.
LAJME TË TJERA PËR KËTË ARGUMENT