Të enjten opozita dhe studentët zbresin në shesh. Protestë e madhe para Parlamentit

Më 20 dhjetor, ditën e enjte kur do të mbahet dhe seanca e Kuvendit, Fronti Opozitar do të zhvillojë një nga protestat më të mëdha. Mësohet se vendimi për organizimin e protestës është marrë gjatë mbledhjes së gjithë partive të opozitës. Jo zyrtarisht mësohet se protesta ka qenë temë e mbledhjes së parë të zhvilluar nga Lulzim Basha me Këshillin e ri Kombëtar të PD.

Protesta vjen si reagim i opozitës për situatën në të cilën ndodhet vendi dhe ka objektiv kryesor largimin e qeverisë. Tubimi që do të zhvillohet në kryeqytet është konceptuar nga opozita si një manifestim kombëtar me pjesëmarrje masive me protestues nga gjithë vendi.

Të gjitha degët e partive opozitare në Tiranë dhe qytetarë kryesore kanë marrë këto ditë udhëzimet për tubimin që do të mbahet më datën 20 dhjetor.

Pjesë e protestës do të jenë dhe studentët që kanë 14 ditë që ndodhen në shesh dhe ende nuk kanë marrë një përgjigje nga kryeministri Edi Rama. Tubimi u paralajmërua jo vetëm pas mbledhjes së Këshillit të PD, por edhe nga deklarata e deputetes së LSI, Kejdi Mehmetaj. Duke komentuar kërkesat e studentëve, në një deklaratë zyrtare nga selia e LSI, Mehmetja u shpreh se “të enjten në seancën parlamentare, maxhoranca ka shansin e fundit tu tregojë studentëve se realisht do ti dëgjojë ata. Në aksioni nuk ndërmerret për të rritur buxhetin, çdo shfaqje tjetër është e kotë, çdo shfaqje tjetër do të shoqërohet vetëm me reagim dhe revolt studentore”.

Por në tubim do të jetë dhe biznesi i vogël, minatorët dhe gjithë kategoritë sociale që ndjehen të prekura nga politikat e qeverisë “Rama”.

Pas shumë protestave masive që janë zhvilluar këto ditë, ku kryesisht studentët kanë protestuar me kërkesa jo politike për kushte ekonomike, si dhe pas skandaleve qeveritare që janë denoncuar nga opozita, të enjten tubimet do të marrin një tjetër rrjedhë.

Opozita do të zbresë në sheshin para parlamentit me motivin e qartë për të kërkuar largimin e qeverisë “Rama”.

SHKARKO APP