El Pais: Të paktën 39 të vdekur pas përplasjes së dy trenave

Numri i viktimave nga përplasja e dy trenave në Spanjë është rritur në 39 dhe 152 persona të tjerë janë plagosur, raportoi transmetuesi shtetëror spanjoll RTVE, duke u thirrur në burime policore.

Paraprakisht, autoritetet spanjolle kishin konfirmuar vdekjen e 21 personave, pasi një tren i shpejtë doli nga shinat dhe u përplas me një tren tjetër që po vinte në drejtim të kundërt në jug të Spanjës.

Aksidenti ndodhi në afërsi të Adamuzit, provincë e Kordobës, që gjendet rreth 360 kilometra në jug të kryeqytetit, Madrid.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mëngjesin e së hënës, kreu i Qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juanma Moreno, paralajmëroi për mundësinë e rritjes së numrit të viktimave, pasi njoftoi se disa nga të shtruarit në spital ishin në gjendje të rëndë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Forca e aksidentit ka qenë shumë e madhe… ka gjasa të gjejmë [edhe] trupa të tjerë”, tha Moreno, duke shtuar se do të nevojiten mjete të rënda për të larguar pjesët metalike të shkatërruara të trenave, në mënyrë që të tentohet të lokalizohen viktimat e tjera të mundshme.

Video nga vendi i ngjarjes, të shpërndara në rrjetet sociale, shfaqën ekipet e shpëtimit duke nxjerrë pasagjerët nga vagonët. Disa pasagjerë dolën nga dritaret e thyer, ndërsa të tjerë u larguan me barela.

Gazeta El Pais raportoi se mes viktimave ishte edhe drejtuesi 27-vjeçar i trenit që udhëtonte nga Madridi drejt Huelvës, përkatësisht shoferi i trenit që u godit.

Në dy trenat që u përplasën ndodheshin rreth 400 pasagjerë, shumica prej tyre spanjollë që po ktheheshin drejt dhe nga Madridi pas fundjavës.

Nuk është e qartë se sa turistë mund të kenë qenë në bordin e dy trenave, pasi që janari nuk është sezon pushimesh në Spanjë.

Treni i dytë, që ishte nisur për në Huelva dhe operohej nga Renfe – kompani e financuar nga shteti – po udhëtonte me një shpejtësi prej rreth 200 kilometrash në orë në momentin e përplasjes, raportoi El Pais. Nuk është e qartë se me çfarë shpejtësie po udhëtonte treni i parë që doli nga shinat.

Shkaku i përplasjes ende nuk dihet, tha ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, gjatë një konference për media në Madrid, duke shtuar se “është shumë e çuditshme” që dalja nga shinat ndodhi në një segment të drejtë të hekurudhës. Ky segment ishte rinovuar në muajin maj, shtoi ai.

Treni i kompanisë Iryo kishte më shumë se 300 pasagjerë, ndërkaq i Renfes rreth 100 veta.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?