Apeli i artistëve:”Tërhiqni ligjin ose bllokojmë Teatrin dhe plasi Lufta”

-Artistët ultimatum qeverisë për të mos prekur godinën e Teatrit Kombëtar: “Keni kohë deri të premten, ndryshe do hyjmë brenda dhe e ruajmë me jetën tonë”

Artistët paralajmëruan dje uzurpimin e godinës së Teatrit Kombëtar, nëse mazhoranca nuk tërhiqet nga projekti për shembjen e tij. “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar”, grupim i artistëve më të njohur të skenës shqiptare, në një letër dërguar Presidentit të Republikës paraqitën argumentet e tyre se përse godina historike e Teatrit Kombëtar nuk duhet shembur. Përveç vlerave historike të këtij objekti kulturor, artistët shprehin hapur shqetësimin se me anë të projektligjit të mbështetur nga Partia Socialiste po vidhet toka e Teatrit për t’ja dhënë një kompanie private, e cila do të ndërtojë pallate. Duke akuzuar qeverinë për një projekt korruptiv që do të shembë objektin historik, artistët vendosën ultimatum deri ditën e premte. Nëse deri nesër Qeveria dhe deputetët e PS nuk heqin projekligjin nga procesi i miratimit, “atëherë trupa teatrore, artistët, veprimtarët, dhe qytetarë të tjerë legjitimohen të mbajnë Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental si të vetmen formë, që zëri i tyre të dëgjohet”. Ky ultimatum i lexuar paralajmëron edhe përplasje fizike mes institucioneve të qeverisë dhe njerëzve të artit. Pra policia do të përplasjet dhunshëm me aktorët dhe shoqërinë civile, e cila në këtë rast do jetë jashtëzakonisht e madhe në numër.

Tensioni mes artistëve dhe institucioneve të qeverisë u rrit ndjeshëm dje pas zhvillimeve në Komisionin e Mediave. Artistët, të kryesuar nga ikona e kinematografisë, Robert Ndrenika, kishin thirrur në interpelancë në komision ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Qëllimi ishte që ministrja të sqaronte projektligjin e dyshimtë që i jep tokën e teatrit një kompanie private të përzgjedhur nga qeveria. Në komisionin ku do të jepeshin sqarime para artistëve nuk mungoi vetëm ministrja Mirela Kumbaro, por edhe gjithë deputetët e Partisë Socialiste. Bojkoti i PS dhe qeverisë ishte fyerja e radhës që mazhoranca bëri ndaj artistëve që prej muajsh presin të dëgjohen për kërkesat e tyre. Duke qenë se projekti i shembjes së Teatrit është prezantuar nga kryeministri Edi Rama, aktorët synonin që të bindnin një pjesë të deputetëve të PS për të mos votuar projektligjin. Por urdhri që është dhënë nga kryeministria për deputetët është që të mos bëjnë asnjë koment për ligjin, por vetëm ta votojnë. I zhgënjyer me këtë sjellje të mazhorancës, aktori Robert Ndrenika u shpreh se kjo është përbuzje e hapur ndaj artistëve. “Erdha me mendjen që të hyja në debat, të arsyetoja me ata, nuk di se çfarë të them. Di t’u them që, PPP në këtë rast me teatrin, është shqeto vjedhje, grabitje dhe për këtë le të analizojnë të tërë, ka 20 vite që ka filluar kjo histori, pa pyetur aktorët. Arbitraritet. Me keqardhje, por këtu fillon lufta, nuk na dëgjon kush, na përbuzin, na braktisin”,- tha Robert Ndrenika. Nga Partia Socialiste dje pati një reagim të Sekretarit të Përgjithshëm Taulant Balla. Përgjigja që duhet të ishte një sqarim për atë që po ndodh më një pronë publike, në fakt ishte një akuzë për PD dhe retorikë politike.

Në situatën që po tensionohet çdo ditë, pasi shumë shpejt shkatërrimi i Teatrit pritet të sanksionohet me ligj, dje ka ndërhyrë dhe Presidenti Ilir Meta. Në një reagim publik, kreu i shtetit ka tërhequr vëmendjen e institucioneve, Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës për të dialoguar me artistët. Duke bërë apel për dialog, Presidenti ka theksuar se pasuritë kulturore dhe shpirtërore të vendit duhet të ruhen. “Presidenti i Republikës, bën thirrje për transparencë e dialog për këtë çështje dhe i bën apel Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, të dëgjojnë sugjerimet dhe shqetësimet e komunitetit të artistëve e të dialogojnë në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare”,- thuhet në reagimin e kreut të shtetit.

Por edhe pas këtij apeli, qeveria nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment për problemin e artistëve dhe e kanalizuar protestën e tyre si një çështje me karakter politik. Ndërkohë të premten artistët janë përgatitur për reagim të fortë qytetarë dhe protesta. Veç bllokimit të godinës, nëse qeveria nuk reflekton, artistët do të nisin tubime pa mbarim duke ftuar dhe qytetarë tu bashkohen kauzës së tyre. Skenari është i ngjashëm me protestat e fundit në Rumani, ku mijëra qytetarë protestuan disa ditë rresht derisa e detyruan qeverinë të tërhiqet.

E premtja është vënë si afati i fundit i artistëve që qeveria të tërheqë vendimin për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Mbrëmjen e së mërkurës, përmes një mesazhi video, aktori Bujar Asqeriu u është drejtuar të gjithë shqiptarëve me një thirrje të ndjerë.

Asqeriu ka kërkuar pjesëmarrjen e qytetarëve të Tiranës në protestën e fundit të artistëve që kërkojnë ruajtjen e Teatrit Kombëtar si një godinë me vlera të mëdha historike dhe emocionale për ta.

Në foto: Aktori i njohur Bujar Asqeriu

“Jeni të ftuar për të mbrojtur kauzën tonë, jeni të ftuar për të mbrojtur teatrin tuaj, për të mbrojtur traditën tonë kulturore, historinë tonë. Ju ftojmë të gjithëve të jeni aty me ne, për ti thënë grabitqarëve të heqin duart dhe thonjtë dhe të largohen nga grabitja e territorit të Teatrit Kombëtar. Ju mirëpresim” – thotë Asqeriu.

Nga nesër, nëse qeveria nuk tërhiqet, do jetë një përballje e artistëve dhe shoqërisë civile me qeverinë. Një gjë dihet: Asnjë e mirë nuk i vjen qeverisë nga kjo përplasje, aq me tepër që opozita do bashkohet me ta.

Q.Xhani

SHKARKO APP