Thirrja e pedagoges Entela Kasi: Vetëm ju studentë mund të bëni ndryshimin
Protesta e studentëve nuk ndalon. Ata janë energjia dhe e ardhmja e këtij vendi ndaj duhen përkrahur. Janë të shumtë ata që deklarohen hapur pro tyre. Në darkë erdhi edhe reagimi i Kishës Katolike Shqiptare, e cila si rregull tregohet e kujdesshme në deklarata, por këtë herë e tha hapur se jemi krah studentëve.
Së fundi vjen reagimi i pedagoges Entela Kasi, e cila u ka bërë thirrje studentëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të luftojnë pa kompromis për kauzën e tyre dhe të mbajnë larg të gjithë ata që vetëquhen shoqëri civile, apo pedagogë të paguar nga qeveria për tu prishur protestën.
Vetëm ju mund të bëni ndryshimin!
Mos lejoni asnjë parti politike të afrohet tek ju, mos lejoni asnjë nga ata të ashtuquajturit ‘shoqëri civile’ të cilët prej vjetësh kanë qenë në shërbim të klasës politike shqiptare për interesa meskine. Mos lejoni të afrohen pranë jush ajo pjesë e inkriminuar e stafeve arsimore të cilët ju kanë bërë presion dhe ju kanë vjedhur paratë e familjeve tuaja.
Kërkoni mbështetjen e popullit, familjeve dhe intelektualëve me integritet, sepse vetëm kështu mundeni të bashkoni Shqiptarët për një Shqipëri me dinjitet!
Ju jeni e sotmja dhe e ardhmja e këtij vendit tonë që ka gjithë pasuritë natyrore por mbetet një prej vendeve më të varfra të Ballkanit.
#meJu!
Entela Kasi
Pedagoge
Presidente e Albanian PEN Center
Qendër e PEN International në Shqipëri