Thirrje anti-shqiptare në Beograd (VIDEO)

Në Serbi vijojnë protestat kundër ligjit për besimet fetare të miratuar nga Mali i Zi. Grupet nacionaliste serbe mblidhen çdo mbrëmje para ambasadës së Malit të Zi në Beograd dhe hedhin parulla nacionaliste. Në thirrjet dhe koret e tyre nuk mungojnë dhe parrullat anti-shqiptare. Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentet kur protestuesit serbë thërrasin: “kush nuk kërcen është shqiptar”.

Më 3 janar turma e mbledhur pranë ambasadës, anëtarë të grupit të tifozëve “Delije” ose në shqip “djem të ashpër”, sulmoi ambasadën malazeze dhe u përpoq të djegë flamurin malazez mbi ambasadë. Të drejtuar nga Kisha Ortodokse serbe dhe të mbështetur nga propaganda shtetërore, protestuesti kundërshtojnë ligjin e ri për të drejtat fetare. Ata thonë se ligji i ri i mundëson Malit të Zi të konfiskojë pronat e kishës, duke përfshirë manastiret, kishat dhe pasuri të tjera. Reagimi i Serbisë është dënuar nga qeveria e Malit të Zi. Presidenti serbe, Aleksandër Vuçiç dje anuloi një vizitë zyrtare në Mal të Zi, pas tensioneve që janë krijuar mes dy vendeve, ku qeveria serbe kundërshton ligjin për fenë.

Ndërkohë sot, ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu ka kërkuar nga qeveria “Rama” që të reagojë për incidentet e fundit në Beograd dhe thirrjet kundër shqiptarëve. “Mbrëmë në Beograd: “Kush nuk kërcen është shqiptar”, dhe “Presidenca” e OSBE hesht! Si dikur kënga e nazisteve për hebrenjtë…. Protestat me thirrje ekstremiste ndaj Malit te Zi, mbrëmë kanë pasur elemente të tille dhe kundër shqiptarëve. Ndërkaq “Presidenca” e OSBE as nuk belbëzon mbas cicërimave të dy ditë më parë, asnjë deklarate, asnjë thirrje për distancim të autoriteteve serbe, ndërhyrje të tyre që të tilla provokacione mos të përseritën e të thellohen rrezikshëm”,- deklaron Tritan Shehu në një reagim në rrjetet sociale.

SHKARKO APP