TI: PS-ja vjedh më shpejt e më mirë se sa PD-ja

Transparency International, organizata botërore me qendër në Gjermani që monitoron korrupsionin në gjithë botën e vlerëson Shqipërinë si një vend më probleme serioze për ryshfetin e zyrtarëve dhe qeveritarëve. Në raportin e vitit 2017, Shqipëria renditet në vendin e 91-të, mes 180 vendeve nën monitorim, ku në vende e para renditen shtete si Zelanda e re, Danimarka dhe Zvicra. Nga raporti rezulton se korrupsioni është rritur, pasi një vit më parë, në 2016-ën, Shqipëria renditej në vend të 83. Sipas dokumentit, për nga niveli i korrupsionit në vitin 2017 Shqipëria është në të njëjtën renditje me shtete që kanë probleme serioze me demokracinë, apo janë në luftë civile. Konkretisht, Shqipëria ndodhet poshtë gjithë vendeve të BE, por dhe rajonit, si Serbia, Maqedonia dhe Kosova. Këtë vit, jemi në të njëjtët nivele me shtete si: Suazilandi, Guajana dhe Siri Lanka, të cilët janë ose diktatura të shpallura, ose vende të sapo dala nga luftëra të përgjakshme civile. I vetmi shteti i rajonit që na bën shoqëri është Bosnje-Hercegovina, një vend që qeveriset me vështirësi për shkak të ndarjeve etnike, serbë, boshnjakë dhe kroatë dhe që ka një nga një president për të tre komuniteteve kryesore.

Transparency International e monitoron Shqipërinë prej dhjetëra vitesh dhe jep të dhëna për mënyrën sesi e perceptojnë nivelin e korrupsionit qytetarët. Një krahasim i shifrave përgjatë viteve tregon të dhëna alarmante për qeverinë aktuale të kryeministrit Edi Rama. Konkretisht, në vitin 2010 gjatë kohës që në pushtet ishte PD dhe qeveria “Berisha” sapo kishte konsumuar mandatin e parë në pushtet, Shqipëria renditet në vendin e 87-të në Transparency International. Në 2017 Shqipëria renditet në vend të 91-të. E thënë ndryshe, në mandatin e parë të qeverisë “Berisha” dhe “Rama” rezulton se Transparency International klasifikon si më të korruptuar qeverinë e Partisë Socialiste. Brenda një mandati qeverisës rezulton se PS-ja ia ka kaluar me disa pikë në korrupsion Sali Berishës sipas raportit të Transparency International.

Krahasimi vlen për mandatin e parë, pasi në mandatin e dytë, në vite të veçanta Berisha e renditi Shqipërinë dhe në vend të 100-të duke thelluar distancën. Në mandatin e parë Berisha bëri disa reforma kundër korrupsionit, por ato që përmirësoi në 4 vitet e para i përkeqësoi ndjeshëm në mandatin e dytë. Ndërsa qeveria Rama duket se e ka nisur që në mandatin e parë përkeqësimin me korrupsionin. Nëse vazhdon me këto ritme, në raportin e ardhshëm do të renditemi në një nivel me shtetet si Siria dhe Somalia. Sigurisht që Berisha qeverisi keq, por nëse u besojmë të dhënave të raportit, sepse del qeverisja e PS-së më e keqe sesa ajo që iku në 2013-ën.

Transparency International është një nga organizatat më serioze ndërkombëtare që vepron thuajse në gjithë botën. Raportet  për korrupsionin e shteteve shërbejnë dhe si pikë referimi për bizneset ndërkombëtare. Ndaj dhe renditja e Shqipërisë në listën e vendeve të korruptuara është një paralajmërim për çdo biznes të huaj që dëshiron të investojë në Shqipëri.

Sigurisht një raport nuk i thotë të gjitha dhe metodologjia e përdorur mund të ketë defekte në llogaritje. Por një shifër më pak apo më shumë, në rastin e Shqipërisë nuk ndryshon nivelin e vendit, pasi sërish jemi mes shteteve të Afrikës dhe vendeve me junta ushtarake. Me gjithë gabimet që mund të ketë, raporti është pasqyra e vetme ku qytetarët mund të shohin “suksesin” e reformave, jo siç i servir propaganda e qeverisë. Gjatë premtimeve elektorale PS-ja dhe Rama deklaronin shpesh se do tejkalonin qeverisjen e Berishës duke bërë reforma.

Në vitin 2017 PS-ja jo vetëm e arriti qeverinë “Berisha” për nivelin e korrupsionit, por edhe e tejkaluan.

Q.Xh.

SHKARKO APP