Tom Doshit i ndalohet hyrja në SHBA. Deputeti: Vërtetoni që jam i korruptuar!

Deputeti Tom Doshi i Partisë Socialdemokrate u shpall sot person “non grata” bashkë me familjen e tij nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit të DASH, Tom Doshi u shpall i padëshirueshëm për shkak të “angazhimit të tij në korrupsion domethënës”.

“Departamenti e shpalli publikisht z. Doshi si të padëshirueshëm dhe të palejuar për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara. Ligji lejon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose dhunim të rëndë të të drejtave të njeriut, këta individë dhe anëtarët e familjes së tyre nuk lejohet të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, thotë deklarata.

“Ligji kërkon gjithashtu që Sekretari i Shtetit të dizenjojë zyrtarë të tillë publikisht ose privatisht zyrtarë të tillë dhe familjet e tyre. Përveç dizenjimit të z.Doshi, Departamenti dizenjon publikisht edhe bashkëshortjen e z.Doshi, Xhovana Dhosi, vajzën e tij të rritur Briana Doshi, djalin e tij të rritur James Doshi dhe fëmijët e tij të mitur,” vijon më tej deklarata e DASH.

Ndërsa radio shtetrore “Zëri Amerikës” në versionin online shkruan se: Departamenti i Shtetit i ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara deputetit Tom Doshi dhe familjes së tij.

Pas ish kryeprokuorit Adriatik Llalla, Tom Doshi bëhet zyrtari i dytë nga Shqipëria të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni. Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë.

Njoftimi i Departametit Amerikan të Shtetit   

Tom Doshi ka reaguar pas publikimit të lajmit se Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar atij dhe familjes së tij hyrjen në SHBA. Përmes një interviste në “News 24” ai tha se nuk ka lidhje me çështje korruptive dhe abuzime me tendera siç thuhet, ndërsa shtoi se është taksapaguesi më i madh në Shqipëri.

Zot Doshi si u njoftuat për këtë lajm?

U njoftova prej jush që më morët në telefon

S’kishit dijeni?
Jo jo se dija. Ala s’kam mbaruar drekën. E para fëmijët e mi kanë pasaportë australiane, s’kanë nevojën për vizë amerikane. As gruaja ime dhe as fëmijët e mi s’kanë qenë në Amerikë. Unë kam qenë në Amerikë, kam aplikuar në ambasadë kur kam qenë në hetim, siç e dini. Nuk më është thënë që më refuzohet kërkesa. Unë kisha një konflikt me kryeprokurorin (Adriatik Llallën) siç dihet. Dhe këtu ngeli çështja, vetëm tek kërkesa. Për punë korrupsioni s’kam firmosur asnjëherë. Jam opozitar, s’kam qenë kurrë në pushtet.

A keni komente lidhur me akuzat që ju bëri DASH, se akuzoheni për korrupsion?
Me ba korrupsion duhet të jesh ministër, kryeministër. S’jam marrë asnjëherë me tendera dhe s’kam pasur lidhje. Jam taksapaguesi më i madh në Shqipëri.

Përse mendoni se DASH duhej të thoshte kështu?
Kjo është puna e tyre, që janë marrë me këtë çështje. Unë jam i pastër dhe s’kam frikë. Jam arrestuar në mënyrë të paligjshme.

Çfarë do të bëni tani? Cilat janë hapat që do të ndërmerrni?
S’ja vlen të merrem me këtë punë. E ndjej veten të pastër. S’kam probleme si Adriatik Llalla që merret me korrupsion. Unë do kërkoj të drejtën time, kjo është arsyeja për sot. Një akuzë e tillë…ju e shihni se si CNN sulmon Trump që ‘ka blerë zgjedhjet’ dhe ai vazhdon e bën presidentin. Ju mediat e bëni kaq të madhe (Qesh). Kush është në politikë, do goditet.

S’është një media që e thotë, por DASH. A keni frikë ju që mund të hapet hetim nga prokuroria?
Për ça të kem frikë unë? A jeni në terezi? A e merrni vesh? A po e merr vesh?! Mos bëni pyetje budallaqe. Jam njeriu më i votuar në Shqipëri. Populli më ka votuar, mos u merrni me këto ça thuhen. Me këto tenderat ca thoni ju. Unë paguaj taksa dhe jam në rregull me shtetin. Mos u shqetësoni për mua. Po për Llallën a keni ndonjë lajm, a do arrestohet apo jo?

Akoma jo. Ne presim nga ju…
Ahh. Faleminderit.

SHKARKO APP