Top Story/Nikollë Lesi pas vendimit të Apelit: Berisha s’duhet të kandidojë për kryeministër, të bëjë qeveri në hije!

Në Top Story, Top Channel, Nikollë Lesi e quan një vendim të drejtë atë të Apelit për t’ia kthyer vulën dhe logon e PD Sali Berishës, por për këtë ai thotë se ish-kryeministri duhet të falenderojë Gazment Bardhin dhe Agron Gjekmarkajn, pasi prej tyre arriti që ta fitonte këtë ‘betejë’.

I ftuar në Top Story, ai u shpreh se duhet që Berisha, nëse do të dojë që PD të fitojë në zgjedhje, është që të mos kandidojë ai për kryeministër dhe të mos lejojë që të futen në parti vajza dhe dhëndri i tij.

“Vendimi ishte i duhuri, Berisha pas kësaj duhet të falënderojë shumë Bardhin dhe Gjekmarkaj se pa këtë grup nuk e merrte dot vulën. Berisha pas kësaj duhet të deklarojë publikisht se nuk do jetë kandidat për kryeministër i PD.

Unë e shoh të vështirë për të fituar PD. Po ashtu Berisha duhet të deklarojë publikisht se as Argita dhe as dhëndri nuk duhet të futen në PD. Argita është juriste shumë e mirë, por nuk ka pse afrohet në PD, fare! Nuk lind më në PD një Berishë i dytë, ndaj duhet ta lerë të lirë konkurimin pas ikjes së tij, sepse do ikë një ditë. Ndryshe ata që janë bashkuar me të e shikojnë të pamundur konkurimin, nesër, sepse fiton Argita nga mbiemri.

Nëse do të vijë PD në pushtet, Berisha duhet të deklarojë qeverinë në hije, që do ishte e përbërë nga emra të cilët kanë integritet dhe janë të pa akuzuar. Një qeveri me Gaz Bardhin, Agron Gjekmarkaj, Luçiano Boçin, Edi Palokën, Jorida Tabakun, Tomor Alizotin, Ilir Alimehmetin, Belind Këllçin, Dhurata Çupin, etj. Ndryshe nuk ka asnjë shpresë për PD-në që të rikthehet në pushtet, nëse nuk shpall këto emra për qeverinë e PD.

Ky është një ekip që mund të ngjallë një shpresë. Janë emra me integritet. Mund të prekin elektoratin gri. Saliu e ka bërë epokën e vet, duhej të kishte ikur që në 2013. Ka ngelur për arsye të ndryshme. Le të ngelet kryetar i PD, por jo kandidat për kryeministër”, tha Lesi. Me tej Lesi theksoi se shanset për rikthim të PD në pushtet, pasi kësaj përçarje ku plagët janë akoma të pambyllura, janë pothuaj zero, nëse nuk prekin elektoratin gri, që mbetet 1/3 e votuesve.

 

SHKARKO APP