Trafik i tmerrshëm Shkodër-Muriqan. Radha 15 km me makina, asnjë polic rrugor!
Plazhi sjell trafik, kjo është e pranueshme. Por që të ketë trafik për fajin e policisë rrugore, e cila nuk duket asgjëkundi në segmentin problematik Shkodër-Muriqan (pika e kufirit), kjo është më shumë se papërgjegjshmëri e policisë rrugore.
Radha sot për në Muriqan ka shkuar mbi 15 km dhe nuk lëviz prej disa orësh. Duke mos patur polici rrugore si dhe me ngadalsinë e kontrollit në pikat kufitare, rruga mbetet e bllokuar në të dyja anët. Një çorganizim total për fajin e ditës 1 gusht kur ka lëvizje të shumta të qytetarëve por kjo kryesisht nga mungesa e policisë për të vendosur rregull.
Siç na njofton korrespodenti “KOHA JONE”, nga Shkodra trafiku ka mbi katër orë që mbetet i bllokuar në aksin Shkodër-Muriqan duke shkaktuar rrëmujë stresante te qytetarët të cilët po hyjnë në Shqipëri ose po dalin nga pika e Muriqanit për Mal të Zi.
Shënim: Pas shkrimit në KOHA JONE, Policia e Shtetit mori masa urgjente, aq sa në një kohë rekord u dynd krejt policia e Shkodrës në aksin Shkodër-Oblik-Muriqan duke zhbllokuar trafikun. Situata po shkon drejt normalizimit pasi një bllokimi total prej orës 07:20.