Tre “Rama” në Dibër, Shukriu, koalicioni dhe Bashkimi Europian
Dje u takuan tre “Rama” në Dibër. Edi Rama-kryeministër, Luan Rama –LSI dhe Muharrem Rama –kandidat. Edi Rama kishte javë pa dalë në publik. Takimi i parë politik i kreut të qeverisë Edi Rama pas pushimeve qëlloi që të jetë hapja e fushatës elektorale për kreun e Bashkisë në Dibër. Mesazhi duket se është i qartë. Nga dje mazhoranca ka hyrë në fushatë elektorale, por jo vetëm për Dibrën, por edhe për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017. Në këtë linjë ishte dhe fjalimi i tij para dibranëve, ku foli pak ose aspak për ato që janë bërë në tre vite dhe gjithçka u fokusua te premtimet e ardhshme. Ai foli shumë shkurt në raport me fjalimet e tij të gjata. Nga Dibra kryetari i PS-së Rama bëri një premtim jo të zakonshëm. Tha se nuk do të ikte nga zyra e Kryeministrit nëse nuk mbante realizonte ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Në fakt më shumë se premtim për rrugën, Rama zuri radhën edhe për një mandat tjetër si Kryeministër.
Qeveria aktuale do të jetë më pak se një vit në pushtet, deri në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm. Gjatë kësaj kohe nuk ka asnjë mundësi që Qeveria Rama të realizojë ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Ndaj për të realizuar këtë pretim që u dha dibranëve në vitin 2013, por edhe duke ju përgjigjur kërkesës së LSI-së për të mbajtur fjalën, Rama tha se nuk do të ikte nga zyra e Kryeministrit pa e realizuar këtë projekt.
“Sa i takon rrugës së Arbrit, Rama tjetër (Luan Rama) tha një fjalë shumë të vërtetë, që në 20 e ca vjet, të gjithë e kemi premtuar dhe nuk e kemi bërë. Unë e kam premtuar, por akoma nuk mund të thoni që nuk e kam bërë. Sigurisht, unë kam barrën që të bëj gjërat që dëshirojnë të gjithë partnerët e koalicionit, – kjo është detyra ime dhe unë nuk ankohem për këtë detyrë, sepse e kam marrë me dëshirë dhe vullnet të madh, – por unë po ju them këtu, që unë nuk do të largohem nga zyra e Kryeministrit, pa bërë Rrugën e Arbrit”,- u shpreh Kryeministri.
Rama pati një përgjigje dhe për ata që mendojnë se pushteti dhe angazhimet e shumta qeveritare i lodhin zyrtarët. “Ditën që do lodhem me problemet e pafundme të Shqipërisë që kemi trashëguar, unë sigurisht që nuk do marr rrugën për të shkuar asgjëkund, përveçse në shtëpinë time, bashkë me Lindën, Zahon dhe me kalamajtë e tjerë”,- tha kreu i qeverisë Rama.
Çështjen e Rrugës së Arbrit, Rama e theksoi disa herë. Por nuk kishte vetëm hallin e dibranëve. Me sa duket kryeministri foli për ata që rrinë në selitë politike e diplomatike në Tiranë. Ishte mesazh edhe për Ilir Metën se nuk do ta lëshojë kollaj kolltukun e Kryeministrit.
Rruga e Arbrit është një premtim që e ka bërë çdo qeveri në 20 vjet. Në vitin 2013 Rama e përdori si pretimin kryesor në Qarkun e Dibrës. Ashtu si të tjerët edhe ai nuk e mbajti premtimin. Kryeministrit nuk i mjaftoi një 4 vjeçar qeverisës dhe në fjalimin e djeshëm nuk kërkoi thjesht një mandat më shumë, por e premtoi pa afat. Me këtë logjikë, nuk mbetet gjë tjetër veçse ky projekt të mos kërkoi edhe 20 vjet të tjerë, sepse ka mundësi të kemi vetëm një Kryeministër që nuk ikën nga zyra pa e mbaruar.
Fushata e djeshme është një model që tregon edhe mënyrën sesi do të shkojë PS-ja në zgjedhjet e vitit 2017. Në Dibër socialistët kanë tre vjet që qeverisin dhe kreu i qeverisë mund të fliste dhe për premtimet që dha disa vite më parë. Në fakt, në fjalën e tij shumë pak u fol për ato që janë realizuar. Në vitin 2016, kryeministri që qeveris prej tre vitesh foli ende për Berishën dhe Partinë Demokratike të para vitit 2013. Siç duket refreni “Fajin e ka Saliu” dhe demokratët do të vazhdojë edhe në zgjedhjet e ardhme parlamentare.
Për herë të parë, Rama foli dhe për Shukri Xhelilin, por pa e përmendur në emër dhe pa thënë asnjë fjalë për skandalin seksual që tronditi vendin. Kryeministri tha se “këtu në bashkinë e Dibrës, ju kishit një kryetar që nuk donte t’ia dinte për Peshkopinë dhe për dibranët, por donte t’ia dinte vetëm për punët e veta”.
Por më e rëndësishme duket se dje të tre “Rama-t” treguan se PS dhe LSI do të shkojnë sëbashku në zgjedhjet e reja parlamentare. Luan Rama i LSI theksoi se Koalicioni do të vazhdojë deri në Integrimin e plotë të BE. Por ikja e Britanisë së Madhe nga BE e ka futur në dilemë të madhe BE.
Pyetja është për Luan Ramën e LSI: Po nëse BE dezintegrohet a bie koalicioni me PS-në?