Trump: Putini mund të vijë të shikojë finalen e Kupës së Botës!
Në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë kushtuar Kupës së Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, presidenti amerikan Donald Trump bëri një veprim që menjëherë ndezi reagime në media dhe diplomaci: ai nxori nga sirtari i tavolinës së tij një fotografi të tij me Vladimir Putinin.
I pyetur nga gazetarët për vështirësitë që vizitorët mund të hasin kur të vijnë në SHBA për Kampionatin Botëror, Trump tha se “ai (Putini) mund të vijë, varësisht nga ajo që ndodh”, duke shtuar se “do të ndodhin shumë gjëra gjatë dy javëve të ardhshme”.
Presidenti amerikan e quajti fotografinë “të bukur” dhe shtoi se “sapo i dërguan një foto nga dikush që dëshiron shumë të jetë në Kupën e Botës”. Për Putinin, ai tha: “Ka qenë shumë respektues ndaj meje dhe vendit tonë, por jo aq respektues ndaj të tjerëve.”
Mesazh i koduar apo provokim?
Deklarata e Trump-it nuk kaloi pa vëmendje. Në një kohë kur Rusia vazhdon luftën në Ukrainë, ndërsa Perëndimi i ka vendosur sanksione të rënda Moskës, gjesti i presidentit amerikan shihet si një mesazh i dyfishtë: nga njëra anë, ai ruan hapësirë për diplomaci, por nga ana tjetër, krijon konfuzion për aleatët që presin linjë të qartë të Uashingtonit kundër agresionit rus.
I pyetur për sulmet ajrore ruse që kanë goditur një biznes amerikan në Ukrainë, Trump tha se “nuk është i lumtur për këtë”, duke shtuar se “nuk jam i kënaqur me asgjë që ka të bëjë me atë luftë”.
“Gjatë dy javëve të ardhshme do të zbulojmë se në ç’drejtim do të shkojë puna dhe më mirë të jem shumë i lumtur”, tha ai, duke lënë të hapur shumë skenarë.
Një imazh për Kupën e Botës, një dilemë për diplomacinë
Eventi në Shtëpinë e Bardhë kishte për qëllim njoftimin se Kennedy Center do të presë shortin e Kupës së Botës 2026. Por Trump e ktheu ceremoninë në një shfaqje personale, duke vendosur në qendër jo sportin, por marrëdhënien e tij me Putinin.
Kjo lëvizje u lexua si një paralajmërim se politika e jashtme e SHBA-së, në prag të një ngjarjeje botërore sportive, mund të mbetet e varur nga vendimet personale të presidentit dhe jo nga vijat tradicionale të diplomacisë amerikane.
KOHA JONË SONDAZH

