Shumica e mediave nuk transmetojnë protestën për Teatrin Kombëtar
Skandaloze mënyra sesi disa media në vend u perpoqen të sfumojnë protestën e artisteve dhe te shoqerise civile lidhur me kauzën e Teatrit Kombëtar.
Protesta, e cila nisi në orën 18:30 u pa qartë që ishte jo vetëm e mirëorganizuar, por pjesëmarrja ishte e lartë nga shoqëria civile dhe artistët, të cilët në marshimin e tyre bënë thirrje për të mos shembur Teatrin Kombëtar.
Nga Teatri Kombëtar protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, për të mbërritur më pas në ndalesën e fundit, përballë Presidencës, ku i bënë thirrje Presidentit Ilir Meta që të mos dekretojë ligjin për shembjen e Godinës së Teatrit, pasi duke shembur Teatrin – sipas tyre – do të shembet historia e tij.
Neritan Liçaj, Adriatik Lapaj, Robert Budina, Romir Zalla, Elsa Demo, Enida Bozheku, Julian Deda, Gentian Zenelaj, etj. figura publike ishin disa nga zërat më të fortë të kësaj proteste të cilët vazhdojnë ende t’i bëjnë thirrje Presidentit që të mos dekretojë ligjin.
Sa i takon shumicës së mediave, të cilat për interesa personale si për leje ndërtimi, koncensione, pazare, etj. nuk transmetuan protestën, drejtuesit e tyre duhet të dinë diçka, që nëpërmjet heshtjes po kontribuojnë jo vetëm në shembjen e një copëze historie, por edhe në instalimin e një regjimi autoritar.
Natyrisht nuk themi se protesta e tyre është protestë e Zotit dhe kanë apo jo të drejtë, këtë e vendos shumica dhe ndërgjegjia qytetare, por edhe nëse nuk kanë të drejtë prapë protesta e sotme ishte LAJM që meritonte hapësirën e saj dinjitoze.
Dhe… lajmi jepet për publikun. Kjo eshte detyra absolute e medias.
Kur ka ndonjë aktivitet apo takim ndonjë ministër apo drejtor i rëndësishëm turren me vrap ta transmetojnë live, po sot, pse jo?!
Ja pra… bojkoti i transmetimit të sotëm të protestës është pasqyra e medias shqiptare!
/A.Gjergji – Koha Jonë/