U tërhoq Rama nga “vija e kuqe”?

Më në fund dorëzohet kryeministri Rama nga moskapërcimi i “vijës së kuqe”. Është detyruar nga SHBA . Victoria Nuland u paraqiti palëve një propozim të ri si shansin e fundit që ata të jepnin votën për reformën në drejtësi. Varianti, me gjasë i fundit, e bën kryeministrin Rama ta kapërcejë vijën e kuqe që ai betohej se nuk shkelej “edhe sikur të mos bëhej reformë kurrë. Edi Rama duke parë vendimin e pa negociushëm të PD-së se pa nenin 88 nuk ka votim ka pranuar variantin e ri të ofruar nga Nuland. Me këtë variant rrëzohet gjithçka kishte projektuar Rama. Fitoi varianti i PD-së.

Ndihmës -Sekretarja Amerikane e Shtetit ia paraqiti atë fillimisht në tavolinë kryetarit të opozitës. Vetë Basha e konfirmoi këtë kur gazetarët e pyetën nëse “pati propozim konkret nga zonja Nuland”. “Pati. Diskutuam mbi bazën e propozimit tonë dhe propozimeve të tjera”, tha ai.

Propozimi, që mban prapë formalisht firmën e SHBA e BE, nuk ia lë më në dorë kryeministrit dhe shumicës mekanizmin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të Komisionit të Vetingut dhe të Apelimit të Vetingut. Burime thonë se ky variant përafrohet shumë me atë që PD paraqiti të premten. Për këtë arsye, Basha e ka pranuar atë pa hezitim.

Kjo ishte edhe arsyeja përse ai, në dalje nga takimi me zonjën Nuland, e ftoi mazhorancën të reflektojë mbi variantin e paraqitur. Basha e dinte se nuk ka rrugëdalje për Ramën dhe se ka marrë mbështetje nga Nuland për kerkesën e tij.

“Presim, kërkojmë dhe ftojmë palën tjetër që përmes një reflektimi pozitiv, të diskutojë mbi meriatat e këtij propozimi dhe jemi të hapur që së bashku me palën tjetër, në mënyrë konsensuale t’i hapim rrugë kësaj cështej të vetme që i ndan palët sa i përket miratimit në parim të draftit kushtetues për reformën në drejtësi”, u shpreh Basha.

Zonja Nuland e ka shprehur dakordësi edhe me insistimin e Bashës se paketa mund të miratohej vetëm me konsensus. Basha e la të kuptohej këtë në prononcimin për median menjëherë pas bisedimeve me të: “Thashë që kjo reformë mund dhe do të kalojë vetëm me konsensus politik”, deklaroi ai.

Dy orë më vonë Victoria Nuland ia vuri përpara në tavolinë këtë variant edhe kryeministrit Rama, si zgjidhjen e vetme që reforma të miratohej me votat e të gjitha palëve dhe jo me vota të trafikuara apo “të disa vëllezërve” që Rama kishte “kërcënuar” se do t’i gjente në të djathtën e parlamentit. Ndryshe nga thirrjet e ambasadorit Lu apo nga deklaratat e shefes së politikës së jashtme të BE, Mogherini, për “vota individuale”, ajo ia ka bërë të qartë kryeministrit Rama se vetëm konsensusi mund ta bënte të vlefshëm miratimin e reformës në parlament.

Kryeministri është gjendur përballë faktit se SHBA e BE “lëvizën” nga pozicioni i tyre, duke paraqitur një variant të ri, të ndryshëm nga ai i miratuar nga mazhoranca në Komisionin e Posacëm të Reformës në Drejtësi, të ndryshëm nga ai “me vijë të kuqe”, një variant që përfshin shqetësimet dhe propozimet e opozitës, gjithnjë duke ruajtur kornizën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, një variant që përjashtonte “votën individuale”.

Zonja Nuland tha në deklaratën e saj pas dy takimeve, se varianti i ri “është një projekt që do të ndihmojë të dy palët që ta mbyllin edhe hapësirën e vetme boshe”.

“Ambasadorët Lu e Vlahutin kanë bërë një propozim të ri që është për diskutim. Është një propozim i ri, në të cilin janë përfshirë ide të qeverisë dhe opozitës dhe që është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ky propozim ka mbështetjen time dhe mbështetje të gjerë nga Uashingtoni. E shqyrtuam me zotin Basha dhe zotin Rama këtë propozim dhe i kam nxitur ata që të mblidhen së bashku rreth asaj që është propozuar, pasi ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje”, deklaroi Ndihës –Sekretarja Nuland.

Tani pritet që Edi Rama të thotë se “vijën e kuqe” e shkela dhe se “kartoni i kuq” duhet ti nxirret atij, pasi e tensionoi kot se koti politikën dhe situatën.

Zonja Nuland tha se “ky propozim përpiqet të përcaktojë edhe rolin e duhur të ndërkombëtareve në monitorimin e procesit të vetingut, duke ruajtur sovranitetin e Shqipërisë”.

Në parim kryeministri Rama e ka pranuar propozimin e ri të zonjës Nuland edhe pse ky variant e nxjerr nga llogorja e pagenociueshmërisë që ai zuri për vetingun, duke ia imponuar opozitës si zgjidhje të vetme.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, diskutimi mes Kryeministrit dhe zonjës Nuland u përqendrua tek reforma në drejtësi. Kryeministri Rama rinënvizoi qëndrimin e tij se shumica qeverisëse do të mbetet deri ditën e fundit e hapur për çdo kompromis që nuk cënon thelbin e reformës dhe njëkohësisht, vlerësohet nga partnerët tanë strategjike, si në përputhje të plotë me objektivin e përbashkët për një drejtësi të denjë për një vend anëtar të Bashkimit Europian.

Duke e falenderuar Kryeministrin për përpjekjen e madhe në rrugën e realizimit të kësaj reforme, Victoria Nuland nënvizoi se Shtetet e Bashkuara presin që të gjitha palët ta mbyllin këtë proces me suksesin e merituar për Shqipërinë e për popullin shqiptar, përfundon njoftimi për mediat i zyrës se kryeministrit.

Kryeministri duket të jetë zmbrapsur, pavarësisht përbetimeve se ai nuk do ta “dorëzonte” vetingun edhe sikur të detyrohej të shkonte në zgjedhje dhe pavarësisht se tërheqja nga ajo mbi të cilën është betuar publikisht i ngarkon një barrë të rëndë përgjegjësie për dështimet e deritanishme, pasi ishte ai mori përsipër të mos tërhiqej “për asnjë arsye”, duke mos i lënë mundësi kompromisit.

Por Nuland e la në baltë Edi Ramën dhe pranoi me sa duket variantin e PD-së, duke pritur një marrëveshje mes palëve.
Pikërisht atë që ka kërkuar LSI prej muajsh se duhet konsensus mes palëve. Por duke ditur se si mbetet politika shqiptare nuk duhet të nxitohemi se nuk ende nuk dihet  si do veprojnë gjatë javës që vjen.

Jetojmë në Tironë- thotë kenga e Ramës- dhe gjithçka mund të ndodhë. Mund të kthehen prapë në pikën e nisjes…

SHKARKO APP