Unaza e Re. Deputetët e LSI: 6 pyetje që kërkojnë përgjigje nga institucionet

Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim i kanë dërguar sot një kërkesë publike Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri lidhur me çështjen e Unazës së Re.

Ligjvënësit e LSI kërkojnë përgjigje zyrtare për të paktën 6 pyetje kryesore që lidhen me projektin rrugore prej 2.2 km  që kushton rreth 48 milionë euro. Në letrën për ministrin, deputetët Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi shprehen se Ministria duhet duhet të jap informacion për mënyrë sesi është hartuar projektit i Unazës së re dhe cila është kompania që e ka hartuar.

Problematika kryesore e projektit të Unazës së Re lidhet me pronat e banorëve që preken. Për këtë çështje deputetët e LSI kërkojnë nga ministria dhe drejtoria e Autoritet Rrugor Shqiptar, Agjencia E Legalizimit Dhe Urbanizimit, Hipoteka dhe Bashkia e Tiranës informacion të detajuar lodhur me numrin e pronave që preken dhe nëse janë zbatuar ligjet për legalizimin e këtyre ndërtesave

Kërkesa e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim

GRUPI PARLAMENTAR I LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM

Lënda: Kërkesë

Drejtuar: Z. Damian Gjiknuri, Ministria E Infrastrukturës Dhe Energjisë

  1. Afrim Qëndro, Drejtor i Përgjithshëm Autoriteti Rrugor Shqiptar
  2. Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm Agjencia iLegalizimit dhe Urbanizimit
  3. Valdrin Pjetri, Kryeregjistrues Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
  4. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Bashkia Tiranë

Si deputetë përfaqësues të qarkut Tiranë prej më shumë se 28 ditësh kemi ndjekur nga afër situatën e krijuar me banorët e Unazës së Re lidhur me prishjen e godinave që preken nga zgjerimi i segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe pjesën tjetër të Unazës së Madhe të Tiranës. Banorët janë thellësisht të shqetësuar mbi fatin e pronës së tyre privatë dhe përveç konfrontimit në terren më punonjësit e institucioneve të ndryshme publike shprehen se nuk kanë asnjë informacion zyrtar mbi prishjet apo shpronësimet. Duke marrë parasysh shqetësimin e lartë publik dhe numrin e madh të banorëve që preken nga projekt kërkojmë nga ana juaj informacion të detajuar për sa më poshtë.

  1. Kush e ka hartuar projektin përfundimtar të zgjerimit të segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe gjithë pjesën e Unazës së Madhe të Tiranës? Kush e ka kërkuar hartimin e këtij projekti? A është miratuar projekti përfundimtar konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë? Sa është vlera totale e projektit dhe a është bërë një studim fizibiliteti? Ju lutem të na vendosni në dispozicion projektin të shoqëruar me të gjithë detajet teknike.
  2. A janë zhvilluar konsulta publike përpara miratimit të projektit përfundimtar nga institucionet shtetërore përgjegjëse?
  3. Sa është numri i pronave private që janë përllogaritur të shemben për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti? Sa është sipërfaqja totale e këtyre pronave?
  4. Sa prej këtyre pronave private janë të pajisura me çertifikatë pronësie dhe sa jo (ju lutem të na vini në dijeni numrin e objekteve shoqëruar me sipërfaqen totale të tyre). Sa prej objekteve janë në proces legalizimi?
  5. A ka filluar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar VKM dhe VKB përkatëse? Sa është fondi i planifikuar për këtë qëllim?
  6. Si janë trajtuar nga Aluizni ndërtesat që preken nga ndërtimi i kësaj vepre? A janë vlerësuar apo trajtuar më ndonjë akt shkresor përjashtimi apo kualifikimi objektet në proces legalizimi, sipas ligjit?

Ju lutem na vini në dispozicion të gjithë procedurat e ndjekura deri në procedurën e prokurimit publik. Gjithashtu informacionin zyrtar të shkëmbyer ndërmjet ARSH-së dhe Aluiznit lidhur me këtë projekt. Përgjigjen tuaj kërkojmë që ta shoqëroni me dokumenta zyrtarë.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,

DEPUTETËT

Endrit Braimllari

Kejdi Mehmetaj

Floida Kërpaçi

SHKARKO APP