Urime nga krerët e Shtetit dhe politikës për Pashkët Katolike
Për festën e Pashkëve Katolike kanë uruar të gjithë drejtuesit e shtetit dhe të politikës.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shkruan: “Për shumë mot Pashkën, të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë!
Në këtë ditë të bekuar, le të gëzojmë e të festojmë të gjithë së bashku me besim dhe shpresë te Zoti për një të nesërme më të mirë.
Gëzuar, dhe qoftë për të gjithë Pashkë e Shenjtë!“- përfundon Presidenti.
Lindita Nikolla, kryeparlamentarja, uron: “Dita e Pashkës, një festë e bukur e rrëzëllitëse për besimtarët katolikë.
Me lindjen Krishti lindi për ne, me vuajtjet vuajti për ne, në agoni u kryqëzua për ne, me ringjalljen u ringjall për ne.
Me mrekullinë e Ringjalljes, Jezusi i tregoi botës se ka gjithmonë një shpresë, një shpëtim. Pashka është kremtimi i një historie, më të madhes histori, të shpresës.
Jezusi krijoi shembullin e madh të dashurisë, shërbimit dhe kryqëzimit për të tjerët dhe gëzimi i Pashkës le të na frymëzojë drejt këtij misioni universal.
Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve katolikë!”– shkruan Kryeparlamentarja.
“Një urim të veçantë, për shumë vjet me zemër të mirë Pashkët”– shkruan kryeministri Rama këtë të dielë herët në mëngjes.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: “Pashkë të bardha për të gjithë besimtarët katolikë! 🥚⛪️ Le të jetë kjo ditë e mbushur me paqe, dashuri dhe lumturi për ju dhe të dashurit tuaj”.
Ndërsa dom Gjergj Meta, ka postuar foton me qingjin e vogël: Me shëndet Pashka!
Ish-kryeministri Berisha postonstatusin: “Besimtave katolikë ju uroj Gëzuar Pashkët, ditën e ringjalljes Hyjit Krishtit Mbret dhe së bashku me të shpresës, besimit të njeriut. Pashkët tjera më mirë ti kremtojmë. Gëzuar. #sb
Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar që në mesnatë: “Sonte në vigjilje të Pashkës së Madhe pata kënaqësinë të merrja një mesazh të ngrohtë urimi nga miku im arbëresh Luka, i cili më ka shoqëruar në të gjitha vizitat e mia si President i Republikës në komunat e mrekullueshme arbëreshe.
E telefonova për t’i përcjellë gjithashtu urimet e mia më të përzemërta për të dhe familjen dhe nëpërmjet tij të uroja nga zemra të gjithë komunitetin tonë të dashur arbëresh në Italinë mike: GËZUAR NGA MOT PASHKËN! KRISHTI U NGJALL!”
Lulzim Basha ka postuar statusin: “Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë katolikë dhe ungjillorë që kremtoni këtë ditë të shenjtë të Ringjalljes së Jezu Krishtit, unë dhe familja ime ju urojmë nga zemra, për shumë vjet Pashkët!
Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin e të mirës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën, të shpresës mbi dëshpërimin. Në këto kohë të vështira, drita e shpresës dhe kurajos ndeztë në zemrat dhe mendjet e çdo familje shqiptare besimin se ditë më të mira na presin.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!”.