Urimi i hidhur i Holandës për qeverinë: Duhen rezultate për negociatat
Ambasada Holandeze ka reaguar lidhur me vendimin e së martës nga Këshilli Europian, i cili vendosi që të shtyjë me të paktën një vit dhënien e vendimit për çeljen ose jo të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ndërsa qeveria shqiptare thotë se KE vendosi që në qershor 2019 do të hapen negociatat, ambasada Holandës, shteti që ishte kundër hapjes së tyre thotë se qershor 2019 është vetëm një udhërrëfyes. Në këtë mënyrë nënkuptohet se ende ka reforma që duhen vlerësuar.
“Dëshirojmë të përgëzojmë Shqipërinë për progresin dhe reformat e rëndësishme të arritura, të cilat janë njohur nga Këshilli Europian. Tashmë ka një udhërrëfyes të qartë për vijimin e rrugëtimit deri në Qershor 2019. Ka ardhur koha për të arritur rezultate konkrete në të gjitha nivelet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për të ecur përpara në reformën në drejtësi. Hollanda i qëndron qasjes së saj strikte dhe të drejtë dhe është e gatshme të bashkëpunojë edhe më tej me Shqipërinë në lidhje me këto reforma kyçe në periudhën që vijon”- thuhet në mesazhin e ambasadës së Holandës në Tiranë.
Reagimi i Ambasadës Holandeze ndryshon nga “urimet” që ka marrë qeveria shqiptare. Jo rastësisht në deklaratën e Ambasadës vihet theksi se në qershor kërkohen rezultate konkrete në çështjet më kryesore si; krimi i organizuar, korrupsioni dhe vijimi me reformën në drejtësi.
Gjithashtu, Holanda thekson se është gati të ndihmojë Shqipërinë, por i qëndron strikt në plotësimin e kushteve.
Deklarata e Ambasadës Holandeze vjen në kohën kur qeveria “Rama” deklaron se ka marrë qindra urime nga ana e qeverive të BE për hapjen e negociatave. Në fakt, deklarata e Holandës më shumë se urim është rikonfirmimi i qëndrimit të saj se nuk bën kompromis me reformat që duhet të bëjë Shqipëria.