Vaksina ruse anti-Covid 19 fillon shpërndarjen. 1 miliard vaksina janë kërkesat e para

Moska është e vendosur ta hedhë në treg vaksinën anti-COVID “Sputnik V”, të cilën e krijoi e para në botë. Kreu i bordit drejtues të firmës farmaceutike ruse R-Farm që do të prodhojë vaksinën e zhvilluar nga instituti shtetëror Gamalei tregoi në një intervistë për mediat ruse edhe çmimin e pritshëm të eksportit për një dozë.

“Me shumë gjasa, dozat do të shiten jo më pak se 10 dollarë. Seritë e para të dozave do të jenë më të shtrenjta, por çmimi i vaksinës do të bjerë gradualisht me masivizimin e prodhimit industrial të saj”,tha Aleksei Repik, drejtues i firmës farmaceutike, R-Pharm.

Në tregun botëror ka që tani kërkesë për vaksinën ruse, ende pa u hedhur në prodhim për tregun vendas. Autoritetet ruse thonë se nga vendet e Amerikës Latine, Lindjes së Mesme dhe Azisë janë kërkuar 1 miliardë doza, teksa kapacitetet prodhuese aktualisht garantojnë vetëm gjysmën.

Ndërkohë Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Shpan, një ndër skeptikët e vaksinës ruse tha se brenda pak muajve do të jetë gati vaksina gjermane.

Po kështu Presidenti amerikane Trump deklaroi se para zgjedhjeve presidenciale do prodhohet vaksina amerikane kundër koronavirus.

SHKARKO APP