Vasili: Ndërhyrje urgjente për biznesin Call Center. Duhet paketë masash
Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili zhvilloi sot një takim me përfaqësues të biznesit Call Center në Shqipëri.
Pas miratimit të ligjit nga senati italian, ky biznes që punëson mbi 25 mijë persona në Shqipëri mund të gjenet në vështirësi.
Për këtë qëllim, Vasili ka kërkuar ndërhyrje urgjente të institucioneve shqiptare për t’i ardhur në ndihmë këtij sektori të biznesit vendas. Gjatë diskutimit me biznesmenët e telemarketingut, Vasili tha se duhet një paketë masash për ta mbrojtur këtë shërbim nga efektet e ligjit italian.
“Takimi me përfaqësues të biznesit ishte shumë i dobishëm. Ky biznes realizon punësim masiv në Shqipëri. Mijëra të rinj janë të punësuar në call center. Ligji italian ka krijuar vështirësi për të ardhmen e call center. Duhet të ndërhyhet shpejt dhe konkretisht. Është e nevojshme një paketë masash, pasi lehtësirat janë jetike për mbrojtjen e këtij biznesi”,- tha Petrit Vasili.
Konkretisht ligji i ri italian për shërbimin call center synon frenimin e zhvendosjes së këtyre bizneseve në vende që nuk janë pjesë e BE-së. Shqipëri është vendi ku janë vendosur një pjesë e mirë e këtyre investimeve me bazë në Itali.
Më herët, institucione të qeverisë shqiptare u angazhuan për të lobuar te autoritetet italiane me qëllim minimizimin efekteve të ligjit të ri për telemarketingun në këtë vend. Pavarësisht kësaj, më 6 dhjetor senati i vendit fqinj kaloi ligjin.