Vasili: Parlamenti i kapur dhe gdhë, u kap me presh në dorë për vakancat e KLGJ dhe KLP

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në një reagim përmes rrjeteve sociale, deklaron se Parlamenti i kapur dhe gdhë, u kap me presh në dorë për vakancat e KLGJ-së dhe KLP-së.

“Parlamenti i kapur dhe gdhë, u kap me presh në dorë për vakancat e KLGJ dhe KLP!! Parlamenti i katandisur në zorrën qorre të qeverisë dha një provë tjetër të shëmtuar të kapjes, por edhe të një niveli mizerabël funksionimi.

Kuvendi shpalli 4 vende vakante përkatësisht dy për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe dy për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kuvendi i shpalli me nxitim të madh duke pretenduar se gjoja koha e mandatit këtyre anëtarëve u fillonte ditën kur ishin miratuar në Kuvend. Edhe më budallai e di që mandati fillon kur konstituohet Këshilli përkatës, ashtu sikurse mandati i deputetëve quhet i filluar jo kur bëhen zgjedhjet, por kur deputetët betohen në Kuvend”,- shprehet Petrit Vasili.

Nënkryetari i LSI-së, shton se Kuvendi po sillet si një bandë hajdutësh politikë. “Rrëmbimi për t’i zgjedhur e kapur sa më parë me këtë Kuvend me një parti, i shtyu të sillen si kokëgdhë të vërtetë. KLGJ dhe KLP i nxorën bojën Kuvendit, që u detyrua të tërhiqet. Qesharake është kur sheh ca të huaj, që kanë folur për këtë Kuvend, besoj se janë skuqur e turpëruar, kur shikojnë këta sharlatanë, që kanë zaptuar parlamentin si një bandë hajdutësh politikë”, deklaroi nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

SHKARKO APP