Vasili: Rama ka lajthitur, kanabizimi e vetmja reformë e suksesshme
Pasi qeveria bëri me faj opozitën në asamblenë e PS-së, ka ardhur edhe reagimi i parë nga LSI-ja. Kreu i deputetëve të LSI-së në kuvend, Petrit Vasili, përmes një postimi në facebook, shkruan se kreu i qeverisë ka lajthitur, pasi nuk qeveris dot dhe këput dengla për opozitën.
Vasili ka renditur edhe ”punët” e qeverisë. ”Droga është sheshit, krimi vret përditë, investime as të huaja dhe vendase nuk ka. Shëndetësi në kaos, papunësia është tmerr”,-shkruan Vasili.
Më tej ai shton se kur Shqipëria gëzonte për reformën në drejtësi me 140 vota, Rama qante. ”Kemi një fjalaman të paaftë që urren vendin dhe qurrepset për karrigen. Shqipëria s’ka as kryeministër as qeverisje. Ky kryeministër ka urryer çdo konsensus. Shqipëria gëzonte për reformën në drejtësi me 140 vota, ndërsa ky qante”,-vijon statusi i Vasilit.
Petrit Vasili bën thirrje për rrëzimin e kryeministrit të kanabisit, Edi Rama.
Ditën e sotme në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, kryeministri i vendist Edi Rama në një fjalim maratonë nuk tha asgjë të re.
Përveçse akuzoi LSI-në dhe PD-në për ngecjen e Reformës në Drejtësi. Sipas tij politika është e ndarë në dy kampe, ata që e duan Reformën në Drejtësi dhe ata që kanë frikë.
Për këtë në një dalje për mediat Petrit Vasili sfidon Ramën me një pyetje: Cili është ligji që nuk ka pasur mbështetjen e LSI-së?!
“Shqiptarët e panë sot se kanë përballë një mashtrues, që nuk e merr përsipër as shëndetësia e ti e dhënë me koncesion dhe as ndonjë koleg i imi. Unë sot dua ti bëj këtij mashtruesi një pyetje: Cili është ligji që nuk ka pasur mbështetjen e LSI-së.
Reforma në Drejtësi u realizua falë këmbënguljes së Ilir Metës dhe LSI-së. Ju e mbani mend atë kohë që opozita nuk ishte në Kuvend dhe ishte LSI-ja ajo që bëri të mundur arritjen e konsensusit. E keni dëgjuar që flet Vetingu Vetingu, ka një ligj për këtë. Ky ligj u votua falë votave të LSI—së dhe falë mbështetjes sonë. Gjithçka u arrit falë 21 votave të LSI-së.
Edi Rama i mbështetur nga ndonjë ndërkombëtar kërkonte që të blinte vota deputetësh për të votuar Reformën me 94 vota. Ky mashtrues që nuk është në gjendje që të thotë asgjë përballë këtyre të vërtetave”, u shpreh Vasili.
Statusi i plotë i Petrit Vasilit:
Kanabizimi e vetmja reformë e suksesshme e Kryeministrit.
Kryeministri ka lajthitur përfundimisht. Nuk qeveris dot dhe këput dengla për opozitën. Droga është sheshit, krimi vret përditë, investime as të huaja dhe vendase nuk ka. Shëndetësi në kaos, papunësia është tmerr.
Kemi një fjalaman të paaftë që urren vendin dhe qurrepset për karrigen. Shqipëria s’ka as kryeministër as qeverisje. Ky kryeministër ka urryer çdo konsensus. Shqipëria gëzonte për reformën në drejtësi me 140 vota, ndërsa ky qante.
Vetem Rama e pengoi dhe e pengon reformën në drejtesi. Kanabizimi e vetmja reforme e sukseshme e Kryeministrit.