Vasili: Rama, peng i interesave dhe parave të pista. Po dëmton raportet me SHBA dhe BE

Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili deklaron se kryeministri Edi Rama po kërcënon interesat strategjikë të shqiptarëve duke dalë kundër SHBA dhe BE.

Në një reagim në Facebook, Vasili thotë se çdo kërkese të SHBA për vendosjen e ligjit, Rama i përgjigjet me kërcënime për gjetjen e partnerëve të tjerë me burime financimi të dyshimta.

Vasili shprehet se kreu i qeverisë shqiptare është peng i interesave të errëta dhe qeverisja e tij është kërcënimi më i madh për vendin në këto 27-vjet. “Për shkak të një kryeministri peng interesash të errëta Shqipëria sot gjendet në ç’orientimin më të rëndë dhe të qëllimshëm strategjik dhe kombëtar si asnjë herë në këto 27 vite pluralizëm”,- thotë Petrit Vasili.

Në qëndrimin e tij, kreu i deputetëve të LSI-së flet për Edi Rama po u ofron shqiptarëve projekte ekonomike që nuk kanë lidhje me SHBA dhe as Bashkimin Europian. Këto projekte, sipas Vasilit, përveç burimeve të dyshimta vënë në pikëpyetje dhe vlerat demokratike të vendit si dhe parimet perendimore.

“Orientimi strategjik madhor drejt SHBA është sot jo vetëm i dyzuar, por dhe i shantazhuar. Realitete ekstraamerikane të lyera me bojën e interesave ekonomike të zymta po ju vihen ne tavoline shqiptareve si zgjidhje më të “ëmbla” dhe më të “këndshme” se sa sprova e demokracisë së fortë, parimore dhe të panegociueshme amerikane e cila e shëndosh Shqipërinë dhe e bën atë një realitet të qëndrueshëm politiko social”,- shkruan Petrit Vasili në komentin e tij.

Kreu i deputetëve të LSI shigjeton dhe apatinë e diplomatëve perëndimorë ne Tiranë që nuk reagojnë për këtë kurs të rrezikshëm që po merr qeveria shqiptare.

Duke e cilësuar si komunizëm të ri izolues strategjinë e re të Edi Ramës, Vasili bën thirrje për refuzimin e këtij modeli dhe parave të pista nga qytetarët. “Ky refuzim mbarëkombëtar ndaj këtij komunizmi “të ri” izolues të parave të pista është sot një mision i shenjtë kombëtar”,- shprehet kreu i deputetëve të LSI.

Deklarata e plotë e Petrit Vasilit:

Orientimi strategjik i Shqipërisë drejt SHBA -BE i tronditur thellë, shqiptarët do ta refuzojnë me çdo mjet

Për shkak të një kryeministri peng interesash të errëta Shqipëria sot gjendet në ç’orientimin më të rëndë dhe të qëllimshëm strategjik dhe kombëtar si asnjë herë në këto 27 vite pluralizem.

Orientimi strategjik madhor drejt SHBA është sot jo vetëm i dyzuar, por dhe i shantazhuar. Realitete ekstraamerikane të lyera me bojën e interesave ekonomike të zymta po ju vihen ne tavoline shqiptareve si zgjidhje më të “ëmbla” dhe më të “këndshme” se sa sprova e demokracisë së fortë, parimore dhe të panegociueshme amerikane e cila e shëndosh Shqipërinë dhe e bën atë një realitet të qëndrueshëm politiko social.

Logjika e parave mbi demokracinë po dominon edhe marrëdhëniet me BE duke e shantazhuar edhe raportin me të.

Çdo kërkesë për vendosjen e shtetit ligjor nga SHBA dhe BE po shantazhohet nga kryeministri dhe ata që e ndjekin pas me kërcënimin shumë të rrezikshëm se “do shkojmë andej nga na japin para’ “, pavarësisht erës shpesh të qelbur të tyre, që natyrshëm nuk janë as dollarë dhe as euro por para’ të tjera gjithfarësh.

Votimi kundër Amerikës ne OKB apo deklaratat e kryeministrit në Bruksel se “nuk presim gjatë BE dhe do shohim edhe alternativa të tjera” janë akte publike të një banditizmi politik që shkatërron orientimin e patjetërsueshëm strategjik drejt SHBA dhe BE dhe një alibi për të përligjur veprime tepër të errëta, që po çojnë drejt largimit nga ky orientim.

Apatitë e “çuditshme” të SHBA dhe BE në Tiranë kanë qenë një mundësi më shumë që ky destruktim strategjik i kryeministrit të bëjë udhë.

Shqiptaret janë shumë të qartë ata kanë vetëm një bosht strategjik, që kalon nga SHBA dhe BE dhe tek vlerat fondamentale që inspirohen në Uashington e Bruksel dhe jo tek përkthimet e shtrembura lokale.

Ky kryeministër që sot rastësisht qeveris vendin dhe që e minon këtë orientim strategjik do të refuzohet me force dhe me çdo çmim edhe nga Shqiptari më i fundit.

Ky refuzim mbarëkombëtar ndaj këtij komunizmi “të ri” izolues të parave të pista është sot një mision i shenjtë kombëtar”.

SHKARKO APP