Vasili: Rama ka dhënë 100 milion euro për portalet, por nuk ka për Teatrin!
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar përmes një statusi duke e quajtur kriminale sjelljen e Qeverisë për Teatrin Kombëtar dhe të pështirë justifikimin se nuk ka para për godinën, ndërkohë që nxjerr një fakt, që sipas tij qeveria Rama baterdisi mbi 100 milionë euro për portale.
Postimi i Petrit Vasilit:
Kryeministri, që baderdisi mbi 100 milionë euro me portale, s’ka lekë për Teatrin. Kriminale!
Kryeministri megjithë Bashki e Ministri bëjnë në mënyrë të pështirë viktimen sikur s’ka para, vetëm e vetëm që të grabisin tokën e Teatrit Kombetar dhe ta shkatërrojnë atë.
Këta janë thjesht dhe vetëm kriminelë të artit dhe kulturës së Shqipërisë, pasi kërkund nuk është parë e dëgjuar që krenaria e artit të një vendi të trajtohen si armiq nga qeveria e tyre vetëm sepse mbrojnë artin e kulturën.
Ne po përjetojmë tragjikisht inkuizicionin e binomit shkollëpakë dhe hajdutë, që po bie si sopatë mbi Teatrin Kombetar dhe aktorët e shkëlqyer të tij.
Sa për paratë, po ju sjell vetëm fakte se ç’baderdi kanë bërë këta duke bërë lekët rrush e kumbulla me portale e digitalizimi krejt së koti.
E kanë pohuar vetë që kanë grirë mbi 100 milionë euro për to dhe të gjithë e kuptojnë mënjëherë që vetëm me to do kishim bërë nja 5 teatro kombëtare ultra moderne.
Dhe sot qajnë e bërtasin se gjoja s’kanë para.
Janë mashtrues e kusarë dhe pikë!
Ja fakti i pohuar me gojen e tyre:
Në nentor të 2016 Ministrja e Inovacionit zj. Harito deklaronte përpara Komisionit Parlamentar të Ligjeve:
“Vetëm për të pasur një ide për vlerën e kësaj, në tri vitet e kaluara për infrastrukturën dixhitale janë shpenzuar nga shteti shqiptar, dhe këtë e keni edhe te APP, nga institucionet e ndryshme, jo vetëm institucioni që drejtoj unë, janë investuar nga buxheti rreth 100 milionë euro”.