Vasili: Ramës i ka vdekur qeverisja. Asnjë pjesë e sistemit nuk funksionon

Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka cilësuar komike fushatën e Kryeministri Edi Rama për qeverisjen me portal online ku regjistrohen ankesat e qytetarëve. Në një shënim në Facebook, Vasili thotë se Edi Ramës i ka vdekur qeverisja dhe çdo institucion shtetëror që ka detyrë kontrollin e administratës tashmë është jashtë funksionit. “Asnjë pjesë e sistemit qeverisjes nuk funksionon. Është asfiksuar i gjithë drejtimi, automatizmi administrativ dhe monitorimi shtetëror”,- shprehet Vasili.

Kreu i deputetëve të LSI-së ndalet dhe në fushatën e shkarkimeve të drejtorëve, duke e cilësuar si pjesë të luftës së brendshme në PS dhe qeverisje.

Vasili shprehet se qeveria dhe kryeministri nuk kanë asnjë vizion për zhvillimin e vendit dhe asnjë ide për zgjedhjen e problemeve. “Tani jetojmë Epokën e ankesës. Paaftësia ekstreme e këtij kryeministri pa ide, me vizion zero dhe që mendon vetëm se çdo ndodhë jo më shumë se pas 24 orësh janë dimensioni i gjymtuar i vetë këtij keqformimi që quhet qeveri”,- shkruan Petrit Vasili.

Postimi i plotë i kreut të deputetëve të LSI:

“Kryeministrit të paaftë i ka vdekur qeverisja dhe bën sikur mbledh ankesa.

Qeverisja profane e kryeministrit ka vdekur politikisht, funksionalisht dhe moralisht. Asnjë pjesë e sistemit qeverisjes nuk funksionon. Është asfiskuar i gjithë drejtimi, automatizmi administrativ dhe monitorimi shtetëror.

Tashme një portal qesharak është fillimi dhe fundi i qeverisjes.

Ndryshkja rilindase ka degraduar e përdhosur shtetin dhe mbledhja e të ashtuquajturave ankesave lartë e poshtë si një peshkim në moçal është dimensioni i vetëm i një qeverisje të vdekur. Procese komike shkarkimesh drejtoresh të cilët i ka marrë në ballë plumbi i ankesave dhe inateve të brendshme partiake.

Pa mbledhje ankesash s’ka punë për qeverinë. Po nuk ra ankesa si peshk në rrjetë, problemet nuk zgjidhen as për 100 vjet. Kontrolli, monitorimi, inspektimi shtetëror janë tashmë një zero e madhe.

Tani jetojmë Epokën e ankesës. Paaftësia ekstreme e këtij kryeministri pa ide, me vizion zero dhe që mendon vetëm se çdo ndodhë jo më shumë se pas 24 orësh janë dimensioni i gjymtuar i vetë këtij keqformimi që quhet qeveri.

Kryeministri i degraduar në një portal dhe me vizion sa një ankesë ky është halli i një Shqipërie pa qeverisje”.

SHKARKO APP