Vasili: Reforma në Drejtësi si një realitet fake, i helmuar nga lëvdatat!

Nga Petrit Vasili*

Reforma në drejtësi e imagjinuar si një proces i thellë transformimi i drejtësisë, u duartrokit pa kursim që pa nisur.
U duatrokit “nxehtësisht” edhe ndërsa ajo hartohej.
Vazhdon te duatrokitet edhe sot, kur realiteti i implementimit të saj në mjaft momente kyçe është tërësisht zhgënjyes dhe kapja e saj është një realitet i pakundërshtueshëm.
Integriteti i ri i drejtësisë së re do të ishte vija ndarëse me drejtësinë e vjetër.
A arriti dot të triumfonte ky integritet i ri?
Sigurisht që jo!
Mbushja e organeve të qeverisjes së Gjyqësorit me njerëz pa integritet shënoi goditjen më të rëndë të reformës në drejtëi, sepse morali i kësaj reforme rezultoi të ishte në mjaft raste më i ulët se drejtësia, që lamë pas.
Mbi gjysma e anëtarëve të KLGJ dhe KLP kishin probleme të rënda integriteti, e provuar kjo edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit si dhe nga burime tëtjera verifikimi.
Loja e shëmtuar e bllokimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për shkak se përbërja e tij, e dalë nga një procedurë hedhjeje shorti plotësisht ligjore, nuk i pëlqeu qeverisë ishte një goditje shumë e rëndë për reformën.
Shpërbërja e KED dhe ringritja me mekanizma antiligjore të hedhjes së shortit për të arritur te KED-ja, që i duhej qeverisë është ligjërisht dhe moralisht një atentat kushtetues ndaj reformës.
Zbatimi i një vetingu selektiv dhe politik ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim eliminimin e saj ishte praktikisht asgjësimi i çdo mundësie që Drejtësia të kishte institicionin ku çdokush mund të ankohej për implementimin e reformës në drejtësi.
Gjykata Kushtetuese ishte i vetmi institucion integriteti i të cilit kishte qëndruar qartë mbi palët, që respektonte pa mëdyshje Kushtetutën dhe që kish dhënë dhjetra vendime kundër maxhorancave të djathta e të majta, duke u vlerësuar në këtë mënyrë si institucioni më solid i drejtësisë shqiptare i vlerësuar edhe ndërkombëtarisht.
Vetingu ndaj Gjykatës Kushtetuese ishte një veprim i qeverisë në funksion të strategjisë së kapjes së drejtësisë nga Rilindja dhe pamundësimin e pengimit të kësaj kapjeje.
Ndërsa Vetingu i trumbetuar aq zhurmshëm nga propaganda si asgjë tjetër, po shënon përditë ngjarje të njëpasnjëshme që provojnë se ky Veting është selektiv, me dy standarte, jo profesional dhe se trupat e vetingut kanë në përbërje persona me integritet profesional dhe moral mjaft të ulët. Këta persona nuk do të kalonin dot as vetë asnjë veting të rregullt e jo me t’u bënin vetingun të tjerëve.
Këto dhe mjaft e mjaft fakte të tjera kanë bërë që nga një mbështetje të publikut me mbi 90% për reformën në drejtësi të arrijmë sot brenda pak kohë në një mosbesim, që kalon 63 %.
Pra publiku është shumë i qartë në vlerësimet e veta, publiku është i zhgënjyer thellësisht dhe rrënimi i frymës konsensuale të miratimit të ndryshimeve kushtetuese të 21-22 korrikut 2016 është sot fakt i pakundërshtueshëm.
Ndaj duatrokitjet, ekzaltimet qesharake, apoteozat e një reforme të sukseshme që në fakt nuk ekziston janë realisht një dëm akoma më i madh se sa vetë drejtësia që synuam të lëmë pas.
Ndërkombëtarët që i bien në mënyrë butaforike daulles së këtij suksesi imagjinar po i sjellin një dëm akoma më të madh asaj.
Insistimi politik e propagandistik i tyre thjesht ka deformuar qëllimin dhe thelbin e saj.
Misionet ndërkombëtare të asistencës në drejtësi, qënë vend të kritikës zgjodhën alibi të turpshme, siç qe rast flagrant i zgjedhjes së prokurorit të Përgjithshëm, e mundësuan dhe ligjëruan kapjen e saj nga qeveria.
Sot është koha që të gjithë këta korifej të lënë duartrokitjet si dhe leëvdatat boshe në shqip e në anglisht, por të ulen të skuqur në tavolinë për të reflektuar dhe vënë gishtin në plagë sepse janë shkaktarë e fajtorë për një ëndërr që u kthye në një makth.
Sot përfundimisht reforma në drejtësi është një realitet fake i helmuar nga lëvdatat.

*Nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim

SHKARKO APP