Vasili: Strategjia e zezë e Ramës për riciklimin e plehrave

Placeholder Image

Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili, ka zbuluar sot arsyet që fshihen pas projektit të qeverisë për riciklimin e plehrave në Shqipëri. Në një shënim në Facebook, Vasili thotë se pas refuzimit të Kinës për të ricikluar plehrat e rrezikshme, vendet e tjera po shohin shtete që janë të gatshme të ofrojnë këtë shërbim.

Sipas, kreut të deputetëve të LSI, Qeveria “Rama” është vetofruar për të kryer riciklimin e një sërë mbetjesh që në vendet e tjera janë të ndaluara. Vasili thotë se në këtë mënyrë, Edi Rama synon të kthejë Shqipërinë në koshin e mbetjeve të rrezikshme të Europës.

Kryeministri ynë, që nuk ka asnjë merak se mjedisi në Shqipëri do të shkatërrohet, boll që ai të bëjë para, u vetofrua për ta bërë vendin tonë gropën e plehrave të Europës dhe të trafikimit kriminal të mbetjeve të rrezikshme”,-shkruan Vasili.

Kreu i deputetëve të LSI sjellë në vëmendje dhe çështjen e kamionëve me mbetje toksike, që dyshohet se janë sjellë nga Italia për në Maqedoni dhe janë zhdukur në territorin shqiptarë.

Bëri gjithçka kryeministri edhe për të mbyllur skandalin e 1300 kontejnerëve me mbetje te rrezikshme që kaluan në Shqipëri, nga 2014-2016, të denoncuar gjerësisht nga mediat italiane, çështje shumë e rëndë, e pazbardhur akoma edhe sot, por që nën dritën e fakteve të reja edhe zbardhja e saj është afër”,- shkruan Petrit Vasili.

Statusi i plotë i kreut të deputetëve të LSI, Petrit Vasili:

Zbulohet strategjia e zezë e kryeministrit për riciklimin e plehrave në Shqipëri. Shqiptarët mbeten pa gojë muaj më parë kur kryeministri që kishte firmosur si të parin vendim të tij ndalimin e importit të plehrave, papritmas e gëlltiti e harroi dhe miratoi në qeveri një ligj për importin e plehrave, por që u bllokua në parlament.

Strategjia e zezë e kryeministrit për importimin e plehrave është shumë më e qartë sot. Kina vendi ku riciklohen 85% e plehrave të Europës ka vendosur reduktimin drastik të 24 kategorive të mbetjeve të ngurta duke përfshirë letrën, plastikën, tekstilet.

Ministria e Mjedisit të Kinës thotë: “Ne kemi konstatuar sasi të mëdha mbeturinash me cilësi të dobët, madje edhe me mbetje të rrezikshme, që janë të përzjera me mbetjet e ngurta. Kjo gjë ndot seriozisht mjedisin në Kinë”. Europa pra është në hall për riciklimin e plehrave, por edhe për asgjësimin ilegal të mbeturinave të rrezikshme.

Kryeministri ynë, që nuk ka asnjë merak se mjedisi në Shqipëri do të shkatërrohet, boll që ai të bëjë para’ u vetofrua për ta bërë vendin tonë gropën e plehrave të Europës dhe të trafikimit kriminal të mbetjeve të rrezikshme.

Kryeministri jo vetëm e beri ligjin për importin e plehrave, por dhe e mbrojti si asnjë ligj tjetër për muaj e muaj të tërë duke çuditur të gjithë për zellin e tij të palodhur, kaq të madh e të habitshëm të pashfaqur kurrë më parë për ndonjë çështje tjetër.

Bëri gjithçka kryeministri edhe për të mbyllur skandalin e 1300 kontejnerëve me mbetje te rrezikshme që kaluan në Shqipëri, nga 2014-2016, të denoncuar gjerësisht nga mediat italiane, çështje shumë e rëndë, e pazbardhur akoma edhe sot, por që nën dritën e fakteve të reja edhe zbardhja e saj është afër.

Për këdo, qytetarë, të rinj e të reja, fëmije e të moshuar, ambientalistë etj, është shumë e qartë si drita e diellit se kryeministri është i gatshëm ta shkatërrojë këtë vend, duke jua lënë të keqen pa kthim edhe brezave që do të vijnë, pa ndjere asnjë dhimbje, ndaj duhet ndalur sot, pasi nesër do të jetë shumë vonë”.

SHKARKO APP