Vazhdojnë provokimet e rrezikshme në Tajvan nga Kina. Pekini nuk njeh më “zonën neutrale detare”
Në mënyrë shumë provokuese forcat ushtarake kineze po vazhdojnë manovrat e tyre rreth Tajvanit. Stërvitjet po pengojnë edhe trafikun ndërkombëtar të anijeve. Pekini po demonstron ashpërsi edhe në skenën diplomatike.
Në ditën e dytë të manovrave ushtarake forcat kineze shkelën vazhdimisht kufirin detar jozyrtar midis Kinës dhe Tajvanit. Avionët luftarakë dhe anijet luftarake kineze kaluan të ashtuquajturën linjë qendrore në ngushticën e Tajvanit, kumtoi Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit në Taipei. Autoritetet flasin për një “akt shumë provokues”. Linja qendrore e ngushticës së Tajvanit konsiderohet si kufiri jozyrtar, por kryesisht i respektuar nga Kina dhe Tajvani.
Me pakënaqësi të madhe reagoi edhe kryeministri i Tajvanit Su Tseng-chang. Qeveria në Taipei nuk priste “që fqinji keqdashës do të zhvillonte një demonstrim pushteti në pragun tonë dhe do të rrezikonte arbitrarisht rrugët detare më të ngarkuara në botë me stërvitje ushtarake”, u tha Su gazetarëve. Qeveria kineze kohët e fundit deklaroi se kufiri jozyrtar, sipas saj, nuk ekziston më.
Ngushtica e Tajvanit është një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë. Anijet e ngarkuara dhe cisternat e naftës po e anashkalojnë aktualisht ishullin, për të shmangur një konfrontim me ushtrinë kineze, thanë analistët dhe pronarët e anijeve. Kjo u shton atyre rreth një gjysmë dite kohë udhëtimit.
Kina nisi stërvitjet e saj, të cilat përfshijnë edhe gjuajtje me municion të vërtetë, pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin. Manovrat pritet të zgjasin deri të dielën në mesditë (ora lokale). Demonstrimi më i madh ushtarak i forcës nga kinezët për më shumë se dy dekada synon të pengojë Tajvanin në përpjekjet e mëtejshme për pavarësi. Pekini e sheh ishullin si pjesë të Republikës Popullore dhe kërcënon me pushtim ushtarak. Tajvani, nga ana tjetër, e sheh veten si të pavarur.
Ministria e Jashtme kineze shpalli sanksione kundër politikanes së lartë amerikane Pelosi dhe familjes së saj – pa dhënë detaje. Me vizitën e saj në Tajvan, Pelosi “ndërhyri seriozisht në punët e brendshme të Kinës dhe minoi seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, kumtoi Pekini.
E zemëruar nga kritikat e Japonisë për manovrat e Kinës brenda Grupit të Shtatë Fuqive më të mëdha ekonomike (G7), ministria e Jashtme e Pekinit thirri ambasadorin japonez. Atij iu dorëzua një protestë zyrtare. Qeveria e Tokios e ka kritikuar ashpër faktin se pesë raketa kineze ranë në det në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë (EEZ) gjatë stërvitjes ushtarake. Në një deklaratë grupi G7 shprehu shqetësimin e tij dhe theksoi se nuk kishte asnjë arsye për të përdorur një vizitë si pretekst “për aktivitete ushtarake agresive”.
Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Rusisë, Wang Yi dhe Sergey Lavrov, reaguan ndaj kritikave nga Japonia me një tjetër protestë në takimin e Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). Dy kryediplomatët u larguan nga salla e konferencës në Phnom Penh, Kamboxhia, ndërsa do të merrte fjalën kolegu i tyre japonez Yoshimasa Hayashi, njoftoi agjencia japoneze e lajmeve Kyodo. Në takim, Lavrov foli për një partneritet strategjik midis Rusisë dhe Kinës.
Në kuadër të takimit të ASEAN-it ministri i Jashtëm amerikan, Antony Blinken, i siguroi Japonisë “solidaritetin e fortë” të Shteteve të Bashkuara pas “veprimeve të rrezikshme të Kinës”. Në lidhje me hedhjen e disa raketave kineze në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë, Blinken u shpreh për një “përshkallëzim të rëndësishëm”. Ai akuzoi udhëheqjen kineze se dëshiron të ndryshojë status quo-në në ngushticën e Tajvanit./DW/