Vendim i fortë i Kryeministrit: Nga 1 janari asnjë kazino elektronike dhe baste sportive

Sot kryeministri Rama ka dalë në konferencë shtypi, e cila mund të quhet konferenca më e rëndësishme e tij prej një viti në krye të qeverisë, ku tashmë krejt “tepsinë” e ka vetë ndër duar. Edi Rama tha prerë dhe me ton urdhërues se nga 1 janari asnjë kazino nuk do të ketë më në qendrat e banuara. Vetëm në hotelet me 5 yje në zonat turistike. Në asnjë vend tjetër-tha Kryeministri. Bile urdhëroi heqjen e reklamave të basteve sportive nga mediat dhe portale online brenda 24 orëve. Ndërsa bastet sportive nuk do ekzistojnë fare-premtoi Rama.

Ky është vendim i fortë. Ia kishte kërkuar me kohë LSI ta zbatonte këtë aksion dhe vendim të madh kombëtar, por deri më sot nuk ishte marrë vendimi. Gjithësesi më mire vonë se kurrë!

Kryeministri sot e deklaroi publikisht: Nuk ka më! Fenomeni i kazinove elektronike dhe pikave të basteve në çdo cep pallati ishte kthyer në gangrenë për shoqërinë shqiptare. Familje të shumta janë shkatërruar nga këto lojëra fati, të cilat jo vetëm nuk sjellin fat, por shkatërrojnë dhjetra mijë familje shqiptare, të cilat kanë përfunduar në vrasje, ndarje, shitje shtëpish, pengje, etj. Pa e zgjatur ky është vendim që duhet mirëpritur dhe përgëzuar, sikurse duhet mbajtur nën monitorim të përditshëm pas datës 1 janar 2019.

Pra Kryeministri Edi Rama tha nga se data 1 janar ”do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë” por edhe ”bastet sportive me kuaj, qen apo çdo skllav tjetër të faunës”. Gjithashtu, Rama tha se ”Lotaria Kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike ose siç quhet VLT”. ”Sipas ligjit duke nisur nga data 31 dhjetor do pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë. Ndryshimi i sotëm përfshin dhe bastet sportive, baste me kauj, qen apo cdo kafshe tjetër. Llotaria kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike ose siç quhet VLT. Nga 1 janari nuk do të ngrihet më asnjë qepen për baste. Nuk do të ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar. Paralajmëroj brenda 24 orësh të heqin të gjithë reklamat nga mediat, portalet apo tv”,-premtoi Rama.

E përsërisim se mbetet një vendim i fortë politik. Por pyetja vjen vetvetiu: A do të jetë në gjëndje kryeministri Rama t’i rezistojë gjithë mafias së lojërave të fatit të cilët jo vetëm pastrojnë paratë në lojëra të tilla, porse janë mësuar prej dekadash të pijnë gjakun e fukarenjve që shpresonin të ndryshonin jetën me lojëra fati? A mos lobet e deputetëve të PS-së do ta bllokojnë kryeministrin në miratimin e tij? Apo deputetët e mazhorancës do ta detyrojnë, Edi Ramën, ta zbusi atë që premtoi?

Pra mbetet e hapur pyetja: Po nëse kryeministri e shtyn prapë këtë datë zbatimi, pra datën 1 janar 2019 e bën 1 janar 2020, 21, … a kemi të drejtë ta rrëzojmë nga pushteti?!

 

SHKARKO APP