Vendimi: Berishën t’a sjellë policia në Komision. PD-ja mblidhet për protesta

 

Mbledhja e Komisionit Hetimor për çështjen CEZ është kthyer në një arenë debati mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe deputetëve të opozitës. Dëshmia e ish-kryeministrit Sali Berisha është bërë shkak për nisjen e sherrit në komision. Për herë të parë që nga ngritja e këtij komisionit Berisha pranoi të paraqitet për të dëshmuar lidhur me privatizimin e kompanisë shtetërore. Pavarësisht kësaj dëshmia e Berishës nuk u dha. Që në nisje të seancës ish-kryeministri kërkoi largimin e kreut të komisionit, deputetit socialist Taulant Balla. Sipas Berishës, Balla është i dënuar nga gjykata për shpifje ndaj tij dhe familjarëve të tij gjatë kohës kur ishte kryeministër. Ky fakt, sipas ish-kryeministrit e bënë të pamundur që deputeti Balla ta marrë atë në pyetje, pasi ka konflikt interesi.

Kaq ka mjaftuar që deputetët e tjerë të opozitës në komision ta quajnë të paligjshme procedurën e ndjekur nga socialisti Balla dhe kanë kërkuar largimin e tij nga drejtimi i seancës. Deputeti socialist Taulant Balla këmbënguli se nuk ka asnjë vendim të formës së prerë dhe se komisioni duhet të vijonte me procedurat. Por Sali Berisha nuk ua dha kënaqësinë që socialistët ta merrnin në pyetje në një procedurë që është në ngjashme me atë të një seance gjyqësore.

Që nga nisja e mbledhjes së komisionit dhe deri në momentin që Berisha u largua nga Kryesia e Kuvendit, mes dy palëve nuk kanë munguar akuzat dhe fyerjet. Seanca e djeshme  përfundoi me bojkotin e mbledhjes nga Berisha dhe nga deputetët e tjerë të opozitës. Ndërkohë që socialistët premtuan se Berishën do ta sjellin me forcë duke përdorur policinë për të dëshmuar. “Sipas ligjit, nëse refuzon të paraqitet, atëherë komisioni i drejtohet policisë së shtetit që të bëjë të mundur sjelljen me forcë të dëshmitarit për të dëshmuar. I bëj thirrje dëshmitarit që të zbatojë ligjin dhe të vijë këtu me dëshirë dhe jo me forcë”,- tha deputeti socialist Taulant Balla.

Pavarësisht qëllimit të komisionit hetimor çështja e pranisë së Berishës me dëshminë e tij është më shumë çështje dinjiteti. Socialistët nuk janë kuriozë për ato që do të thotë Berisha, pasi pak a shumë i ka thënë në Kuvend. Ata e dinë se çfarë fjalimi do të mbajë edhe nëse do të vij më dëshirë apo polici për të dëshmuar. Ajo që kërkojnë socialist është poshtërimi publik i ish-kryeministrit, të cilin edhe pse e kanë akuzuar më shumë se këdo tjetër nuk kanë arritur ta çojnë para drejtësisë në asnjë rast. Edhe mënyra e formulimit të pyetjeve dje nga socialistët për Berishën ishte me shumë sfidë për ta vendosur në pozitat e një të akuzuari në gjykatë. Pyetjet ishin të tipit: dëshmitar thuaj emrin, mbiemrin, atësinë, ditëlindjen dhe betohu që do të tregosh të vërtetën. Ish-kryeministri është ndër të paktët politikanë që ka refuzuar thirrjet e gjykatave dhe prokurororive për të dëshmuar për çështje shumë më të rëndësishme. Ndaj dhe nuk ka pranuar të bëhet seriozisht pjesë e lojës me dëshmi në komisione hetimor. Edhe dje nuk shkoi për të dëshmuar, por vetëm për të bëri sherrin e radhës me socialistët duke u kapur pas procedurave për drejtuesin e seancvës. Sa për zbardhjen e së vërtetës  për Çështjen CEZ, komisioni hetimor nuk pritet të sjellë asgjë të re. Sepse është e njohur edhe në Shqipëri shprehja se nëse do të mbyllësh një çështje, ngri një komision hetimor.

PS-së dhe PD-së në këtë fazë u intereson vetëm sherri dhe duket se do e çojnë deri në fund debatin për të dëshmuar Berisha, qoftë edhe me polici. Kreu i Komisionit Taulant Balla përsëriti pas mbledhjes për mediat se procedura nuk do të anashkalohet. Është një luftë nervash që socialistët do e ndjekin deri në fund.

Ndërkohë PD-ja mezi pret ta ndalojnë dhe shoqërojnë me forcë që të gjejë motiv për fillimin e protestave pa ndalim.

SHKARKO APP