Vetmia po aq vdekjeprurëse sa pirja e gjysme pakete duhan në ditë!

Vetmia është një vrasës i ngadaltë dhe i përditshëm. Në Shqipëria kjo është shtuar vitet e fundit. Ndërsa VOA shkruan sot se vetmia e përhapur gjerë paraqet rreziqe shëndetësore po aq vdekjeprurëse sa pirja e 12 cigareve në ditë.

Paralajmërimi është bërë nga Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik, në një raport të publikuar së fundmi.

“Rreth gjysma e të rriturve në SHBA thonë se kanë përjetuar vetminë. Tani e dimë se vetmia është një ndjesi që haset shpesh dhe që e përjetojnë shumë njerëz. Është si uria apo etja. Është një ndjesi që trupi na e përcjell kur mungon diçka që na nevojitet për mbijetesë,” tha Dr. Vivek Murthy për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Raporti i tij synon të rrisë ndërgjegjësimin rreth vetmisë, por nuk zhbllokon fonde federale ose programe posaçërisht për të luftuar këtë problem.

Kriza u përkeqësua më shumë gjatë pandemisë së koronavisusit, duke bërë që shkollat dhe vendet e punës të mbyllin dyert, duke detyruar miliona amerikanë të izolohen në shtëpi larg të afërmve ose miqve.

“Njerëzit u larguan nga grupet e tyre të miqve gjatë pandemisë së koronavirusit dhe reduktuan kohën e kaluar me ata miq”, thuhet në raport. Amerikanët shpenzonin rreth 20 minuta në ditë me miqtë në vitin 2020, nga 60 minuta në ditë gati dy dekada më parë.

Po sipas raportit më të prekurit janë të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç. Kjo grupmoshë raportoi një rënie prej 70% në kohën e kaluar me miqtë, gjatë së njëjtës periudhë.

Vetmia rrit rrezikun e vdekjes së parakohëshme me gati 30% dhe raporti zbulon se ata që kishin më pak marrëdhënie shoqërore kishin gjithashtu një rrezik më të madh për goditje në tru dhe sëmundje të zemrës. Izolimi gjithashtu rrit gjasat që një njeri të përjetojë depression apo ankth.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e vetmisë është edhe teknologjia. Raporti zbuloi se njerëzit që përdornin mediat sociale për dy orë ose më shumë në ditë kishin dy herë më shumë gjasa të raportonin se ndiheshin të izoluar nga shoqëria sesa ata që kalonin kohën në aplikacione të tilla për më pak se 30 minuta në ditë.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik u bën thirrje kompanive të e teknologjisë të përdorin mbrojtje për fëmijët veçanërisht rreth sjelljes së tyre në mediat sociale.

Dr. Vivek Murthy po ashtu u bën thirrje vendeve të punës, shkollave, kompanive të teknologjisë, organizatave apo dhe prindërve të bëjnë ndryshime që do të rrisin kontaktet me miqtë dhe familjarët.

Ai i këshillon njerëzit që të bashkohen me grupet e komunitetit dhe të mos përdorin telefona kur janë duke kaluar kohë me miqtë; punëdhënësit të mendojnë me kujdes për politikat e tyre të punës në distancë dhe sistemet shëndetësore të ofrojnë trajnime për mjekët për të njohur rreziqet shëndetësore të vetmisë, shkruan VOA.

SHKARKO APP