Karantina 2-javore për emigrantët, Presidenti Meta: Hiqni menjëherë këtë ndalesë!
Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje urgjente qeverisë, Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe KQZ, që të heqin vendimin për karantinën dy-javore të emigrantëve që futen nga Greqia apo Maqedonia e Veriut.
Në një konferencë me tone të ashpra, Kreu i Shtetit tha se ky është një akt i rëndë antikushtetues për të ndaluar emigrantët shqiptarë të marrin pjesë në votime.
“Ndalimi i votimit të emigrantëve nga Greqia përbën një akt të rëndë, antikushtetues. Arsyetimi i ndalesës së mijëra bashkëatdhetarëve tanë është pretekst fals, i pabazuar shkencërisht, absurd, përdorim politik, nga situata e pandemisë nga ana e partisë shtet. Kjo është farsa e turpshme për përfshirjen e diasporës në votime. Jo vetëm nuk po përfshihen të votojnë aty ku janë, por nuk lejohen as të vijnë këtu. Këta po fshehin nga statistikat rreth 10 mijë vdekje të shkaktuara nga virusi. I bëj apel urgjent qeverisë, Komitetit të manipuluar të Ekspertëve dhe KQZ të heqë menjëherë këtë ndalesë, që përbën një veprim flagrant antikushtetues”, u shpreh Meta.
Ndërkohë duke u ndalur tek incidenti i ndodhur sot në Fier, ku policia hoqi banderolat e LSI, pasi ishin vënë në vendin ku do të zhvillohej takimi përmbyllës i PS, Meta i bëri thirrje kandidates së LSI, Kejdi Mehmetaj, dhe kolegëve të tjerë, që të ruajnë qetësinë, pasi sipas Kreut të Shtetit, ky është një provokim nga Rilindja.
“Ftoj kandidaten e LSI, Kejdi Mehmetaj, dhe të gjithë kandidatët e tjerë të mos bien e këtij provokimi të bandës Rilindje, të thellohen pak. Ky është një incident i turpshëm dhe banal, por edhe një provokim Kejdi, që ju gjoja të prishni mitingun që do bëjë Rilindja sot në Fier. Këtë duhet ta kuptosh qartë dhe nuk është kjo beteja juaj për të mbrojtur banderolat e LSI, se kryetari i Bashkisë Fieri do shkojë në burg për shkelje shumë të rënda që ka bërë, jo thjesht për këto shkelje të Kodit Zgjedhor. Komuniko me z.Ruci, meqë mbulon qarkun e Fierit, nëse vërtetë banderolat e tua shqetësojnë Rilindjen dhe kryerilindasin, hiqni banderolat tuaja derisa të mbarojë mitingu dhe pastaj vërini prapë, se nuk është ky problemi i madh që ka Fieri.
I di Fieri të gjitha historitë e kryebashkiakut dhe rilindasve të tjerë, e do t’i ndëshkojë me votë plebishitare. Meqë pas dy orësh do iki në Vlorë, Kejdi më bëj një nder, i thuaj z. Ruci, që jo vetëm i hoqën ato banderola, na ka thënë Presidenti që t’i japin edhe ca postera kryerilindasit, se do vij dhe vetë t’ia vë, që të kënaqet ai dhe të shtohet edhe më tej urrejtja për këtë provokator të ndyrë, që kërkon të prishë zgjedhjet ditën e diel. U bëni thirrje gjithë grave e burrave të Fierit e Mallakastrës t’i mprehin sfurqet, kosoret, sëpatat, t’i kenë gati ditën e diel e po u prek një votë e vetme, ashtu do bëjë gjithë Shqipëria, me në krye Presidentin”, tha Meta.
vijon…