Viti 2019, vit arrestimesh në banda dhe politikanë

Klement Balili, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia gjatë dy viteve të fundit, ka pranuar të vetëdorëzohet në polici. I njohur me nofkën “Eskobari i Ballkanit”, Balili mësohet se ka negociuar për kushtet e dorëzimit të tij me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Por para se të dorëzohej ai ka takuar gazetarin investigues Artan Hoxha. Më pas ka pritur Ardi Veliun në Sarandë.  “Zëri i Amerikës” raportonte dje se pas disa kontaktëve dhe negociatave me familjarët, Klement Balili ka pranuar të dorëzohet  te “kreu i policisë shqiptare dje rreth orës 9.45 minuta në një zonë mes Sarandës dhe Finiqit”. Më pas Balili është transportuar drejt Tiranës ku pritet të nis dhe procesi gjyqësor ndaj tij. Dorëzimi i tij vjen në momentin kur Prokuroria për Krimet e Rënda ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim. Klement Balili, që nga mediat greke cilësohet si trafikanti më i madh i drogës në Ballkan, akuzohet për “trafikim të lëndëve narkotike”, i kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “pastrim parash”. Rënia në pranga e Klement Balilit, pavarësisht  detajeve të negociatave që ende nuk dihet se cilat kanë qenë, mund të cilësohet si një arritje e Policisë së Shtetit. Mjaftojmë të kujtojmë se për gjatë dy viteve, që kur u shpall në kërkim Klement Balili arriti t’i shpëtonte të paktën 16 herë policisë. Të gjitha operacionet ndaj tij të organizuara nga ministra dhe drejtorë të ndryshëm të policisë së shtetit, kanë dështuar. Realisht merita i takon Ardi Veliut që arriti ta bindë në dorëzim para drejtesisë.

 

Pas vendosjes së prangave ndaj Balilit, mes qeverisë dhe mazhorancës ka nisur debati nëse ishte një arrestim i mirëfilltë, apo një vetëdorëzim. Ish-kryeministri Sali Berisha, ishte i pari që dha lajmin e vetëdorëzimit  dhe ku thotë se Balili ka negociuar me policinë dhe zyrtarë të qeverisë “për të mos publikuar fakte komprometuese ndaj disa ministrave të Edi Ramës” që ishin klientë të resortit të tij në Sarandë. Në këtë linjë ishte dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili në një deklaratë mbrëmjen e djeshme i cilësonte negociatat mes qeverisë dhe një trafikanti si dështim i shtetit. Basha shkonte dhe më tej në parashikimin e tij, duke u shprehur se fryt i këtyre negociatave mund të jetë dhe lirimi i Balilit nga të gjitha akuzat në gjykatë. “Ramës i djeg e vërteta sepse Balili është prova e kapitullimit te tij para krimit. I djeg sepse ka ulur kokën para të gjitha kushteve të trafikantit të drogës. I djeg sepse shqiptarët do ta shohin shpejt lehtësimin nga akuzat për trafik droge. E kemi pare këtë film me Sajmir Tahirin”,- deklaroi kreu i Partisë Demokratike.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në disa qëndrime të njëpasnjëshme në media e trajtuan arrestimin jo si një fitore të ligjit mbi trafikantët, por deri diku si fitore mbi opozitën. Edhe pse ka qenë detyrë e shtetit që ta arrestonte prej dy vitesh, Kryeministri Edi Rama tha se arrestimi është hap i madh kundër “atyre që lehin” duke nënkuptuar opozitën. “Klement Balili prapa hekurave një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe një përgjigje kuptimplotë, për të gjithë qentë që lehin, ndërkohë që karvani do të ecë me vendosmëri përpara. Urime për këtë rezultat Ministrit Lleshi, Policisë së Shtetit dhe SHISH”,- tha kreu i qeverisë.

Ndryshe nga politikanët, reagimi i ndërkombëtareve ka qenë më objektiv. Ambasada e SHBA, ambasada e BE dhe ajo e OBSE-së vlerësuan rolin e policisë së shtetit, pa u ndalur gjatë në mënyrën sesi u vu në pranga Klement Balili. Por ajo që bie në sy në qëndrimin e ambasadës së SHBA është theksimi i një gjykimi të shpejtë të të akuzuarit dhe vijimi i aksioneve të tjera me shprehjen “Kush e ka radhën”. Kujtojmë që Ambasada e SHBA dhe ish-ambasadori Donald Lu, në disa raste kanë kërkuar publikisht nga qeveria “Rama” arrestimin e Klement Balilit që dy vite më parë. Në të gjitha qëndrimet e ndërkombëtareve theksohet vijimi i operacioneve kundër krimit dhe bandave në vend. Disa muaj më parë, SHBA dhe BE ishin në krah të Ministrit Fatmir Xhafaj për operacionin “Ndëshkimi i të fortëve”. Aksioni kombëtar nisi me goditjen e bandave në Shkodër dhe në Durrës e ku pritej të shtrihej në gjithë vendin. Por aksioni që nisi me mbështetjen e ndërkombëtareve u la në mes në momentin që lidhjet e një prej bandave në Durrës arritën deri në kupolën e Partisë Socialiste. Pas kësaj, jo rastësisht Ministri Xhafaj u shkarkua duke lënë në mes një aksionet e Policisë së Shtetit. Duke inkurajuar punën e djeshme të Policisë së shtetit, ambasadat në Tiranë i kujtuan qeverisë se ka ende punë për të bërë në luftën kundër krimit.

Kush e ka radhën?- pyetja amerikane. Por këtë radhë duket se përveç bandave, flitet edhe për politikën e cila është e zhytur në korrupsion e krim. Dhe nuk do të vonojë sapo SPAK-u të fillojë punë kur prangat do kërcasin mbi ish-ministra, ministra, deputetë e zyrtarë të lartë.

Është vit arrestimesh 2019-ta!

SHKARKO APP