Vizita në Kinë/Ilir Meta: Prioritet, ndërtimi i hekurudhës me Maqedoninë
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka kërkuar nga një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në Kinë projekte dhe investime në Shqipëri. Gjatë vizitës zyrtare në Kinë, Ilir Meta vizitoi zyrat qendrore të korporatës “Power Construction Corporation of China” dhe u takua me Presidentin e kompanisë, Yan Zhiyong.
Në këtë takim Meta shoqërohej nga delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë dhe nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti.
Gjatë prezantimit të aktivitetit të kompanisë, Yan Zhiyong shprehu interesin për vazhdimin e investimeve në Shqipëri. Ai nënvizoi se “Power Contruction” është e gatshme të vlerësojë projekte të tjera me interes të përbashkët në Shqipëri. “Përveç by-pass-it të Beratit, ne po angazhohemi për ndërtimin e rrugës Thumanë-Vorë-Rrogozhinë”,- tha Zhiyomg.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta kërkoi nga korporata kineze që të shihet me shumë interes edhe ndërtimi i hekurudhës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, projekt me interes edhe në kuadër të Korridorit të 8-të. Më tej, Meta u njoh me synimet e kësaj kompanie për të investuar në Shqipëri ku u shpreh se Kina ka qenë për dy dekada në Shqipëri kur janë bërë investimet më të mëdha në sistemin hidroenergjetik dhe u krijua një elitë e tërë drejtuese dhe të inxhiniereve që mund të shërbejë për bashkëpunimet e mëtejshme ndërmjet dy vendeve.
“Ne mirëpresim edhe investime jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në bujqësi, turizëm, ku mundësitë janë të mëdha”,- theksoi ndër të tjera Meta.
Ndërsa Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti kërkoi mbështetjen nga pala Kineze për ndërtimin e kanaleve kulluese në kuadër të projektit të menaxhimit të ujërave si shfrytëzimin e mundësive alternative të energjisë si ajo e diellit dhe e erës, si një mundësi e pa shfrytëzuar dhe fitimprurës për palën Kineze. Pas këtyre diskutimeve, përfaqësuesit e kompanisë “Power Construction Corporation” vendosën të dërgojnë një grup pune në Shqipëri për të vlerësuar në terren propozimet e bëra nga ana e delegacionit shqiptar. “Power Construction Corporation” është një nga korporatat më të mëdha kineze me prezencë në të gjithë botën, që zotëron një kapital shtetërore dhe privat.