Vjeshtë e nxehtë po vjen për kryeministrin

Opozita dhe analistët e pavarur kanë një lexim tjetër të asaj që kryeministri Rama e cilëson si sukses apo fitore siç ka qejf të shkruaj në facebook herët në mëngjez. Sipas qëndrimeve që BE ka mbajtur më parë për Shqipërinë dhe Ballkanin, data 29 qershor 2018 do të ishte dhe koha kur Shqipëria duhet të merrte çeljen e negociatave. Pra, sot ose nesër, nëse çdo gjë do të kishte ecur sipas planit shqiptarët duhet të ishin duke festuar çeljen e negociatave. BE e shtyu vendimin me 12 muaj dhe me një listë të reja detyrash që duket e zorshme të realizohen në kaq kohë, sepse problemi është qeveria. Atë që Edi Rama e cilëson si sukses, opozita e quan dështimin më të madh të vendimin me negociatat. Kjo është hera e pestë që Shqipërisë i refuzohet hapja e bisedimeve me Bashkimin Europian dhe fakti që nuk ka asnjë herë vendim, por një afat të ri e drejton përgjegjësinë nga ana e qeverisë. Ky është qëndrimi që mbajti dje kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe drejtuesit e LSI-së lidhur me dështimin e qeverisë në përmbushjen e kritereve. Në deklaratën nga selia e PD-së, Lulzim Basha theksoi se Brukseli ndëshkoi qeverinë “Rama” për gjithë korrupsionin, krimet dhe keqverisjen. Në të njëjtën linjë është dhe aleatja kryesore e Partisë Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim. Sipas opozitës nuk ka garanci se me Edi Ramën kryeministër dhe me ketë qeveri negociatat mund të hapen edhe pas një viti. Ndaj zgjidhja është largimi i qeverisë. Ky është aksioni ku opozita do të fokusohet pas vendimit të Brukselit që rrëzoi shpresat për çeljen e negociatave.

Ndërkohë qeveria dhe PS kanë nisur një fushatë propagande për ta kthyer atë që opozita e cilëson si humbje, në fitore. Gjatë ditës së djeshme, kreu i qeverisë publikoi një sërë mesazhet në rrjetet sociale, ku e cilësonte qëndrimin e ministrave të jashtëm të BE si një fitore dhe mbështetje për reformat e qeverisë së tij. Pasditen e djeshme, kryeministri Edi Rama thirri me urgjencë në ambientet e Kryeministrisë ministrat dhe deputetët e PS-së. Qëllimi i takimit ishte informimi për “suksesin e negociatave”. Në një fjalim të gjatë Edi Rama u kujdes të jepte dy mesazhe. Mesazhi i parë ishte se Bashkimi Europian ka vlerësuar qeverisjen e PS. Ndërsa mesazhi i dytë ishte një sulm frontal ndaj opozitës. Sipas kreut të qeverisë, opozita e sotme me sulmet që ka bërë kundër vendit në kancelaritë e huaja është pasardhëse e denjë e Esat Pashë Toptanit. Sipas kryeministrit, opozita nuk është në gjendje të kuptojë se çfarë suksesi i madh është arritur të martën në Luksenburg. Sipas kryeministrit dhe PS suksesi i negociatave është fakti se Shqipërisë i janë dhënë 12 muaj kohë për të përmbushur reformat. Në qëndrimin e Edi Ramës dhe PS ka jo pak paradokse. Nga njëra anë thuhet se shtyrja e vendimit është fitore pasi nuk ka më kushte, nga ana tjetër shtohet fakti se në qershorin 2019 negociatat do çelen pasi të jenë verifikuar reformat. Është një lojë fjalësh që e nxjerr zbuluar PS-në, pasi kur BE thotë realizoni reformat se nuk jeni gati, automatikisht ka vendosur dhe kushte.

Ajo që po ndodh me qëndrimet e PS dhe lojën e fjalëve me vendimin e negociatave është vetëm tentativë për të fituar kohë dhe për të shmangur një reagim masiv të opozitës. Vendimi për negociatat ishte cilësuar nga të gjitha palët politike si basti i qeverisë “Rama” për integrimin. Kryeministri Edi Rama personalisht e ka përmendur disa herë si një sfidë për qeverinë e tij vendimin e Brukselit. Ndërsa opozita, nën presionin e ndërkombëtarëve dhe propagandës së qeverisë u tërhoq nga aksionet e forta sepse nuk donte të prishte punë vendit. Zbutja e qëndrimeve opozitare erdhi si pasojë e dëmit që mund t’i bënin protestat politike procesit të integrimit. Edhe pse kjo strategji e opozitës duhet t’i kishte dhënë më shumë mundësi Edi Ramës për të marrë negociatat, sërish vendimi ishte negative.

Kushtet e BE janë precise si lufta kundër krimit, mafise, drogës, korrupsionit etj, të gjitha detyra të qeverisë. Edi Rama do të bëntë një gjest politik nëse kërkonte falje dhe ulej, natyrisht me opozitën, për të gjetur një zgjidhje tjetër për vendin.

Edi Rama po bën të fortin, por opozita e ka ndarë mendjen: Pa rrëzuar kryeministrin nuk ka më qetësi.

Do kemi vjeshtë të nxehtë këtë vit!

Q.Xhani

SHKARKO APP