VOA: Gjykata turke i hap rrugë shndërrimit në xhami të Shën Sofisë. Reagon bota e krishterë
Nga VOA-
Një gjykatë turke anuloi të premten një dekret qeverie të vitit 1934 që e kthente katedralen e Shën Sofisë që ndodhet në Stamboll në një muze, duke i hapur rrugën shndërrimit të saj në xhami, pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare kundër një lëvizje të tillë. Presidenti Tayip Erdogan kishte propozuar rivendosjen e statusit të xhamisë në sitin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-së, një pikë qendrore e perandorive të krishtera bizantine e myslimane osmane dhe aktualisht një nga monumentet më të vizituara në Turqi.
Shtetet e Bashkuara, Greqia dhe udhëheqësit e kishave janë shprehur të shqetësuar mbi ndryshimin e statusit të ndërtesës së madhe që daton shekullin e 6-të, të kthyer në një muze në ditët e para të shtetit laik modern turk, nën udhëheqjen e Mustafa Kemal Ataturkut.
“Është dalë në përfundimin se kontrata ligjore e cakton atë si xhami dhe përdorimi i saj jashtë këtij karakteri është i pamundur nga pikëpamja ligjore“, thanë zyrtarët e gjykatës më të lartë administrative të Turqisë në vendimin e publikuar të premten. “Vendimi i vitit 1934 që i dha fund përdorimit të saj si xhami dhe e përcaktoi atë si një muze, bien në kundërshtim ligjin“, thuhej më tej.
Shoqata që e çoi çështjen në gjykatë, e fundit në një betejë ligjore 16-vjeçare, tha se Shën Sofia ishte pronë e udhëheqësit otoman që pushtoi qytetin në 1453 dhe që e shndëroi kishën tashmë 900-vjeçare bizantine në një xhami.
Osmanët ndërtuan minare përqark katedrales, ndërsa brenda shtuan emra arabë të kalifëve të hershëm myslimanë, krahas ikonave të lashta të krishtera të katedrales.
KOHA JONË SONDAZH


