VOA: Presidenti Putin, akuza ndaj Shteteve të Bashkuara
Nga VOA-
Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi të martën ato që ai i cilësoi si përpjekje të Shteteve të Bashkuara për të ruajtur mbizotërimin global, duke thënë se ato janë të destinuara të dështojnë.
Duke folur gjatë paraqitjes së letrave kredenciale nga ambasadorët e huaj në Moskë, presidenti rus tha se “zhvillimi objektiv drejt një bote shumëpolare përballet me rezistencën e atyre që përpiqen të ruajnë hegjemoninë në çështjet globale dhe të kontrollojnë gjithçka – Amerikën Latine, Evropë, Azi dhe Afrikë.”
Presidenti Putin e ka justifikuar vazhdimisht vendimin e tij për të dërguar trupa në Ukrainë si përgjigje ndaj asaj që ai e quan prekje të interesave jetike të sigurisë së Rusisë nga Perëndimi. Udhëheqësit perëndimorë dhe NATO-ja e kanë hedhur poshtë një pretendim të tillë duke e quajtur agresionin rus të paprovokuar dhe të pajustifikuar.
Udhëheqësi rus i cilësoi sanksionet perëndimore kundër Rusisë, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së dhe aleatëve të saj për të forcuar pozicionet e tyre.
Po të martën, rajonet e kontrolluara nga Rusia të Ukrainës lindore dhe jugore njoftuan planet për referendume këtë javë për t’u bashkuar me Rusinë. Përpjekjet e bashkërenduara dhe të shpejta të mbështetura nga Kremlini për të marrë katër rajone mund të krijojnë terrenin që Moska të përshkallëzojë luftën kundër forcave ukrainase që kanë shënuar sukses në rimarrjen e disa territoreve.
Njoftimet për referendumet që nisin të premten në rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe në Zaporizhzhian e kontrolluar pjesërisht nga Rusia, erdhën pasi një aleat i ngushtë i presidentit Putin, ish-presidenti Dmitry Medvedev, tha se votat ishin të nevojshme, ndërsa Moska po humbet terren në luftë.
Është pothuajse e sigurt që rezultatet e referendumit do të jenë në favor Moskës, por ato nuk ka gjasa të njihen nga qeveritë perëndimore që mbështesin Ukrainën.