VOA: Qeveria e Kosovës pohon se kishte një komplot për të vrarë kryeministrin në vitin 2021
Qeveria e Kosovës tha të hënën se kishte informacione nga institucionet e sigurisë për një komplot për të vrarë kryeministrin Albin Kurti në vitin 2021, por njoftimi nuk ishte publikuar “për të mos shkaktuar panik”.
Komentet e qeverisë pasuan raportimin e stacionit televiziv shqiptar A2, që pretendon se ka siguruar informacione rreth komplotit nga të dhënat e publikuara në internet nga hakerët iranianë.
Sipas stacionit televiziv, policia e Kosovës i ishte drejtuar policisë së Shqipërisë me njoftimin se një shtetas shqiptar po planifikonte të vriste kryeministrin e Kosovës, një deputet dhe një person tjetër, “me qëllim që të destabilizonte vendin”.
Në një deklaratë të qeverisë së Kosovës thuhet se kryeministri Kurti “ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”. Qeveria nuk dha më shumë hollësi, ndërsa as policia e Kosovës nuk bëri ndonjë koment rreth raportimeve.
Televizioni A2 tha se informacioni u zbulua si pjesë e sulmeve të fundit kibernetike ndaj Shqipërisë.
Më 7 shtator qeveria shqiptare akuzoi Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e saj të teknologjisë së informacionit, duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online. Kryeministri Edi Rama njoftoi vendimin për ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me Teheranin./VOA/