Vota kundër në OKB. SHBA fton Kosovën në pritje, por jo Shqipërinë
Shqipëria kur votoi politikisht kundër Presidentit Trump dhe SHBA duhej të ishte menduar mirë. Me saktë duhej të votonte hapur pro SHBA. Por votoi kundër.
Mbrëmjen e djeshme në New Jork, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB Nikki Haley ashtu siç kishte premtuar organizoi një pritje, “Falënderim për miqësi”, për 64 vendet që nuk ju bashkuan rezolutës kundër vendimit të presidentit Trump, për të njohur Jeruzalemin kryeqytet.
Në këtë event të rëndësishëm, shqiptarët për herë të parë si komb ishin seleksionuar dhe veçuar, si pasojë e votës së qeverisë Rama, që u hodh kundër aleatit të madh. Në mbrëmje ishte i ftuar konsulli i Kosovës në New Jork, Teuta Sahatqiu, por jo ambasadorja jonë në OKB, Besiana Kadare. Kjo është përgjigje e hapur e palës amerikane në lidhje me shtetet të cilat votuan kundër. Bile edhe abstenimin Uashingtoni zyrtar e quan pro tyre, por as edhe abstenim nuk denjoi të votoi qeveria e Shqipërisë.
Kjo ka ndodhur vetëm në kohën e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës. I çuditshëm mbetet fakti se ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu nuk foli ashpër ndaj Shqipërisë si një prej vendeve të cilat votuan kundër SHBA. Ndërsa Presidenti Trump dënoi vendet që votuan kundër Uashingtonit.
Të pranishmit (përfaqësues të 64 vendeve që votuan kundër, abstenuan, apo nuk morrin fare pjesë në votim) i përshëndeti nëpërmjet një video-mesazhi falënderues, edhe presidenit Donald Trump.
“Midis Izraelitëve dhe Palestinezëve nuk ka asnjë arsye, pse paqja nuk duhet të vazhdojë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerë si ju, për një të ardhme me paqe dhe perspektivë për rajonin, për njerëzit, për gjithë botën. Faleminderit, Zoti ju bekoftë dhe kalofshi një Vit të Ri sa më të mirë!”- tha Presidenti Trump.
Ndërkohë shefja e misionit të Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, ka marrë pjesë mbrëmjen e djeshme në pritjen e organizuar nga Ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley, organizuar për të falenderuar 64 shtetet që nuk iu bashkuan rezolutës kundër SHBA për Jeruzalemin. Ja si e ka përshkuar ajo këtë pritje në rrjetet sociale dhe reagimin e ambasadores Haley:
“Sonte isha e ftuar nga Ambasadorja e SHBA pranë KB, Znj Nikki Haley në pritjen e organizuar për ‘Falënderim për miqësi’. Ajo tha se votimi i Rezolutës në Asamblenë e përgjithshme ishte votim për ta lënë të vetmuar SHBA-të dhe për ta nënçmuar atë. Ky votim nuk ka prodhuar asnjë rezultat legal sepse askush nuk do t’i tregon SHBA-ve se ku do të vendosë ajo ambasadat e saja nëpër botë.
Ambasadorja Haley falënderoi 64 shtete duke lexuar veç e veç emrin e secilit shtet i cili votoi kundër Rezolutës, abstenoi apo fare nuk mori pjesë në votim.
Ambasadorja falënderoi edhe Kosovën për mesazhet dhe për miqësinë e përhershme dhe të fuqishme me SHBA-të, duke ritheksuar se do të punojmë fuqishëm që Kosova të bëhet anëtare e KB.
Ajo tha se “SHBA dhe ajo personalisht kurrë nuk do të harrojë miqtë të cilët e përkrahen në këtë rast. Përmes video linkut Presidenti Trump gjithashtu falënderoi shtetet e pranishme për miqësi me SHBA-të”.
Në foto: Shefja e misionit të Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija dhe Ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley gjatë festës së organizuar nga SHBA