Vrasjet në Australi: Sulmuesit, një baba dhe djali vranë 15 persona e plagosen 40 të tjerë
Australia mban zi për viktimat e sulmit kundër hebrenjve gjatë festës hebraike. Hetimet e para tregojnë se dy sulmuesit ishin babë e bir. Ata vranë 15 persona dhe plagosën të paktën 40 të tjerë.
Pas sulmit ndaj një feste hebraike në Sidney të Australisë, autoritetet vendore kanë identifikuar dy sulmuesit si baba dhe bir. Policia e njoftoi këtë në një konferencë për shtyp. Sulmi i së dielës la 15 persona të vdekur dhe të paktën 40 të plagosur. Njëri prej sulmuesve, babai 50-vjeçar u qëllua për vdekje në vendngjarje nga policia. Djali 24-vjeçar u arrestua dhe u shtrua në spital me lëndime të rënda. Policia nuk beson se ka pasur të përfshirë ndonjë autor tjetër.
Sulmi terrorist kishte konkretisht në shënjestër hebrenjtë që festonin. Sipas Ministrisë së Jashtme izraelite, në sulmin të dielën të paktën një izraelit humbi jetën. Gazeta Jerusalem Post dhe media të tjera raportojnë se midis të vdekurve është edhe i mbijetuari i Holokaustit, Alex Kleytman.
Australia e kategorizoi sulmin si akt terrorist. Kryeministri australian Anthony Albanese e përshkroi sulmin si një “akt të egër antisemitizmi” dhe terrorizmi. Tronditja pas sulmit ishte veçanërisht e thellë në Izrael. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi Australinë se nuk arriti të luftojë me vendosmëri antisemitizmin.

Më shumë se 1000 njerëz festonin Hanukah
Shumë familje ishin mbledhur në plazhin Bondi Beach për të festuar Hanukah, ishte dita e parë e Festës tetëditore hebraike të Dritave. Sipas policisë, më shumë se 1.000 njerëz ishin të pranishëm kur dy autorët hapën zjarr. Policia raportoi se ishin sekuestruar tre armë zjarri. Hetuesit gjetën gjithashtu pajisje shpërthyese të improvizuara në një makinë që i përkiste njërit prej autorëve.
I pyetur, nëse autorët e sulmit terrorist njiheshin nga autoritetet para tij, kreu i Policisë Mal Lanyon tha menjëherë pas sulmit se kishte pak informacion në dispozicion rreth njërit prej autorëve. Njëri prej tyre ishte i njohur për autoritetet, por sipas hetimeve të deritanishme, nuk përbënte ndonjë kërcënim konkret. Hetimi është duke vazhduar. Policia deklaroi se autori 50-vjeçar i sulmit zotëronte leje për të gjashtë armët e zjarrit që zotëronte.
KOHA JONË SONDAZH

