Fatmir Xhafaj: Neni 13 i SPAK për lirinë e medias do ndryshohet. Ishte gabim

Partia Socialiste është tërhequr nga neni që vendoste censurimin dhe burgosjen e medias. Neni 13 për kufizimin e lirisë së medias në ligjin për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion do të ndryshojë. Fakti është bërë i ditur në një intervistë për Report Tv kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj ku ka thënë se, paragrafi i nenit 13 të ligjit të SPAK nuk ka lidhje me lirinë e medias dhe raportin që duhet të ketë me hetimin dhe prokurorinë.

Ai shton se keqkuptimet janë një zhurmë e panevojshme, por thekson se ky paragraf i këtij neni duhet riformuluar.

“Neni 13 i ligjit per Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion është një zhurmë e panevojshme. Në vetvete neni nuk ka te bëjë me lirinë e medias dhe raportin që duhet të ketë me hetimin dhe prokurorinë.

Ka të bëjë me pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme që ka punë shumë delikate dhe me konflikt. Ndaj është e nevojshme që të mbrohen prokurorët nga çdo ndikim i paligjshëm që deformon hetimin.

Futja e medias nuk kishte qëllim censurën, por ndalimin e përdorimit të medias si instrument për presion. Në mënyrën si është shkruar, mund të keqkuptohet. Ndaj duhet ndryshuar e riformuluar” tha Xhafaj.

Bëhet fjalë për paragrafin e dytë të nenit 13 të projektligjit, që aktualisht parashikon që çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj.

SHKARKO APP