Ministri Xhafaj sfidon Bashën: Njëri nga ne duhet të iki për përgjimin

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka reaguar një ditë para protestës së thirrur nga opozita për audio-përgjimin e pretenduar të vëllait të tij.

Në një reagim në rrjetet sociale, Xhafaj shprehet se nëse përgjimi rezulton i vërtetë ai do të japë dorëheqjen si Ministër i Punëve të Brendshme, duke marrë përsipër çdo përgjegjësi morale, ligjore dhe politike.

Por nga ana tjetër, Xhafaj ka bërë dhe një sfidë për kreun e Partisë Demokratike. Ministri Xhafaj sfidon Bashën duke kërkuar që edhe ai të japë dorëheqjen dhe të mbajë përgjegjësi ligjore nëse del se audio-përgjimi është i falsifikuar.

“Nëse audio përgjimi i bërë publik nga PD, do të rezultojë i vërtetë, unë do të marr çdo përgjegjësi morale, politike e ligjore, përfshi dhe largimin nga funksioni i Ministrit të Brendshëm. Jam i gatshëm ta bëj këtë pa hezitim. Nëse provohet e kundërta, atëherë duhet që Lulëzim Basha të dorëhiqet dhe të përballet me ligjin”,- shkruan Ministri i Brendshëm.

Postimi i plotë i Fatmir Xhafës në Twitter: “Bashkëqytetarëve të thirrur në protestë, u them sot : Nëse audio përgjimi i bërë publik nga PD, do të rezultojë i vërtetë, unë do të marr çdo përgjegjësi morale, politike e ligjore, përfshi dhe largimin nga funksioni i Ministrit të Brendshëm. Jam i gatshëm ta bëj këtë pa hezitim. Nëse provohet e kundërta, atëherë duhet që Lulëzim Basha të dorëhiqet dhe të përballet me ligjin. Pyeteni: A është ai i gatshëm për këtë sfidë? E vërteta është vetëm një, dhe vetëm një në këtë rast. Ai që nuk është në anën e të vërtetës, duhet të përgjigjet. Këtë e kërkon interesi i ligjshëm i qytetarëve”. 

Reagon Edi Paloka (PD):

Fatmir Xhafaj pati sot pafytyrësinë që t’u bëjë karshillik shqiptarëve dhe opozitës. Ndaj le ta mësojë edhe një herë pse duhet të largohet:

Ai duhet të iki sepse Kuksianët që protestuan për mbijetesën e familjeve të tyre nga grabitja e qeverisë i quajti pesona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, kurse vëllain e tij trafikant ndërkombëtar droge dhe pjesëtar të një organizate kriminale të trafikut të drogës e quajti një të ri që ka bërë gabim.

Fatmir Xhafaj duhet të largohet sepse i vëllai i tij sot duhet të ishte i arrestuar dhe nën hetim dhe jo të ishte nisur në Itali.

Fatmir Xhafaj duhet të iki sepse vëllain e tij të dënuar nuk e dërgoi për shumë vite në Itali të bënte dënimin, por e zhduku brenda 24 orësh sa u zbulua se vazhdonte trafikun.

Fatmir Xhafaj duhet të largohet sepse pasuria e tij duhet të hetohet sipas Ligjit AntiMafia dhe kjo nuk mund të bëhet sa kohë ai është Ministër i Brendshëm, shefi i policëve që bëjnë hetimin

Fatmir Xhafaj duhet të largohet sepse ai vetë nuk e kalon dot vetingun që ju bën policëve vartësa të tij.

Fatmir Xhafaj duhet të largohet sepse Shqipëria ka njerëz pa lidhje me krimin që mund t’i shërbejnë më mië.

Fatmir Xhafaj duhet të largohet sepse është e turpshme dhe e dëmshme për Shqipërinë që ai të jetë Ministër i Brendshëm kur Shqipërisë i është vënë kusht për të luftuar krimin, drogën dhe korrupsionin.

Fatmir Xhafaj shpreson akoma por fati i tij politik është vulosur: Fatmir Xhafaj do të largohet nga ministër dhe nga politika. Shqipëria duhet dhe do të ndahet nga njerëz si ai dhe shefi i tij.

Lajme të tjera për protestën e opozitës

SHKARKO APP