Xhafaj:Berisha-Basha në Prokurori. Basha: Olsi Rama të përgjigjet për kokainën kolumbiane

Çështja 613 kg kokainë që u kap në Maminas është rikthyer sërish në qendër të debatit politik. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i kërkoi sot drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmata, të thërrasë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, si persona që kanë dijeni për pronarët e ngarkesës prej 613 kg kokainë.

Përmes një letre, ministri thotë se dy politikanët duhen thirrur për dëshmi, pasi kanë bërë deklarata publike se kanë dijeni se kush e zhvillon trafikun e drogës në vend dhe veçanërisht për faktet që kanë të bëjnë me poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kg kokainë.

Në shkresën e drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ministri Xhafaj thekson se “nga këto deklarime publike bie veçanërisht në sy fakti se nga zoti Sali Berisha dhe zoti Lulzim Basha pretendohet qartë që ata kanë dijeni për fakte konkrete lidhur me klanet e trafikut të drogës në Shqipëri. Po sipas këtyre deklarimeve publike, rezulton se të dy këta persona kanë veçanërisht dijeni mbi poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kilogram kokainë të sekuestruar së fundmi në Portin e Durrësit”.

Ministri Xhafaj thekson se për shkak të deklaratave që kanë bërë në publik, Berisha dhe Basha duken qartazi se kanë dieni për  çështjen e drogës. “Çmoj se ka interes të ligjshëm publik dhe posaçërisht për hetimin që është duke u kryer që, nga ana e institucionit që ju drejtoni, të thirren këta persona dhe të deklarojnë përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, faktet për të cilat kanë dijeni dhe provat, që ata zotërojnë për klanet kriminale të trafikut të drogës, përfshi edhe rastin e fundit të sekuestrimit të 613 kilogram kokainë’’, thuhet në letër.

Pas letrës së ministrit të Brendshëm Xhafaj drejtuar prokurorit Hajdarmataj, ka reaguar edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. Kryetari i PD-së iu përgjigj sot letrës së Ministrit të Brendshëm, që i kërkonte prokurorisë së Krimeve të Rënda ta thërriste liderin e opozitës për informacionet që ai ka për kokainën e ardhur nga Kolumbia.

Letra është një akt i dënueshëm i Fatmir Xhafës, është vendosja de jure e Prokurorisë nën urdhrat e Qeverisë. Informacioni më i sigurt që mund të jap unë është që prokuroria të gjurmojë Olsi Ramën dhe Agron Xhafën”, – u shpreh Basha.

Sasia rekord prej 613 kg kokainë u kap në Durrës në datë 28 shkurt në një kontenier të ngarkuar me banane për llogari kompanisë ‘Arbri Garden’. Droga ishte nisur nga Kolumbia. Deri tani të arrestuar janë vetëm administratori dhe shoferi i kompanisë, ndërsa pronari Arbër Çekaj është shpallur në kërkim. Ai ndodhet në Gjermani. Policia dhe Prokuroria nuk kanë të dhëna të tjera për personat e përfshirë në trafikun.

SHKARKO APP