“Xhisiela”/ Pas Bashës, Balla padit në Prokurori edhe Alibeajn e Palokën

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kallëzuar sot në prokurori padi ndaj deputetëve të PD-së Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj.

Shkak janë bërë deklaratat e këtyre të fundit sa i takon çështjes se Xhisiela Malokut. Paloka dhe Alibeaj kanë deklaruar se Taulant Balla është personi që ka ndikuar te Policia e Shtetit për të mos arrestuar djalin e deputetit të Fushë-Krujës, Rrahman Rraja. Rexhep Rraja, djali i deputetit akuzohet për dhunën ndaj 25-vjeçares Xhisiela Maloku.

Denoncimet e Palokës dhe Alibejat bazohen në deklaratën e policit Emiljano Nuhu. Nuhu, në një letër publike drejtuar Presidentit, kryeministrit dhe Prokurorisë, si dhe në intervistat televizive deklaron se Taulant Balla ka qenë në komisariatin e Fushë-Krujës, më datën 21 korrik 2018. Sipas tij, numri dy i PS ka qenë i pranishëm në momentin kur familjarë të deputetit socialist i kanë vendosur në kokë pistoletën me qëllim ndalimin e arrestimit të Rexhep Rrajës.

Një javë më parë Taulant Balla paditi në prokurori me të njëjtat argumente kryetarin e PD, Lulzim Basha, oficerin Emiljano Nuhu dhe gazetarin Basir Çollaku, i cili mori intervistën e parë të efektivit të Policisë së Shtetit.

SHKARKO APP