Zaloshnja: Nëse bëhen zgjedhje të parakohshme 50 % PS dhe 50 % PD-LSI
Eduard Zaloshnja, një njohës i mirë i statistikave elektorale, ka bërë një shkrim në gazetën AFP dhe ku ndër të tjera shkruan se “Në qoftë se zhvillohen sot, zgjedhje të parakohshme në Shqipëri, rreth 760 mijë votues do të votonin për partitë e shumicës (PS+PDIU+PSD). Nga ana tjetër, po aq (760 mijë) do të votonin sot, për partitë e opozitës (PD+LSI+PR+etj.,). Ndërsa, rreth 580 mijë votues, nuk do të votonin fare. Këto shifra të përafërta më rezultuan nga një sondazh që publikova javën e shkuar (shihni grafikun shoqërues)”.
Zaloshnja, ndonëse i pavarur në statistikat e tij, prapë ka një dozë melankolie për të majtën, sidomos për Edi Ramën. Por gjithsesi, dhe përgjithësisht, është i saktë. Ajo çka shikohet në shifrat e tij të botuara dhe nga grafiku vihet re mënjëherë se PS-ja dhe Edi Rama ka humbur shumë vota në elektorat brenda një muaji qëkur mori qeverinë përsëdyti. I thonë një tëposhte e madhe në pak muaj, bile një tmerr elektoral për Ramën. Shkaku, do pyesni? Absolutisht skandali Tahiri-Habilaj dhe e dyta se votuesit po qartësohen se zgjedhjet u blenë nga bandat e drogës.
Nëse e marrim të mirëqenë faktin “Zaloshnja” se nëse zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare ato dalin 50 % PS plus aleatët e saj dhe 50 % PD-LSI dhe aleatët, tregon se derisa sondazhi që ka paksa anësim të majtë, ka shkuar te 50 %, atëhere me një matematikë të thjeshtë del se Edi Rama ka me pak se 50 % vota, pra qeveria ka rënë në aspektin e mbështetjes popullore. Hileja e 580 mijë votave, sipas grafikut Zaloshnja, të cilët thonë se nuk do të votonin fare, është lenë si një litar zbarkimi nga anija që po mbytet për të dalë në breg me ca vota të cilat Edi Rama mund ti bëjë për vete në momentin e fundit.
Eduard Zaloshnja është mjeshtër sondazhi elektoral, por edhe i lojës për të thënë se prapë Edi Rama mund ti marrë zgjedhjet e parakohshme edhe me një deputet me shumë. Nëse quajmë të vertetë sondazhin, të cilin nuk duam ta vemë në siklet me ca pyetje, por po e marrim si të vertetë, atëhere del se Rama dhe PS e ka humbur pushtetin. E para se dosja Tahiri Akoma nuk ka mbaruar dhe priten të tjera fakte e dokumenta, të cilat do ta venë më në vështirësi Edi Ramën dhe PS. E dyta FBI dhe agjentët e krimit ekonomik që po vijnë, natyrisht që do merren me çdo zyrtar apo ish-zyrtar të lartë, me çdo politikan, etj që ka vjedhur e bërë korrupsion e krim të organizuar, por kryesisht arrestimet do jenë nga qeveria aktuale. Edhe nga palë të tjera, por këto që janë në pushtet do provojnë hetime e arrestime VIP. Pra pikët e mazhorancës do ulen edhe me tepër në elektorat.
Ndaj 50 % që i ka lenë pak me mik Edi Ramës sot, nëse bëhen zgjedhje të parakohshme do ik me vrap e me vrik drejt 49, 48, 47,46, …. Pra humb pushtetin Edi Rama.
Por e gjitha sa thamë varet nëse PD-LSI tregojnë forcë për ta rrëzuar Edi Ramën para marsit 2018. Nëse nuk e rrëzojnë tani, më vonë është më vështirë.
Spiten Pruelli
Shënim: Nëse Eduard Zaloshnja dëshiron të replikojë e ka të hapur gazetën “Koha Jone”