“Të pezullohet hetimi i Presidentit derisa të ngrihet Gjykata Kushtetuese”
Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta u mblodh sot për të diskutuar mbi vijimin e procedurës kundër kreut të shtetit dhe miratimin e planit të hetimit.
Që në nisje të mbledhjes, kreu i komisionit, socialisti Usli Manja pranoi se vendimmarrja e Kuvendit kundër kreut të shtetit është politike. “Pavarësisht se ne do zbatojmë ligjin, në fund vendimmarrja e Parlamentit është politike dhe i takon Gjykatës Kushtetuese për të vendosur lidhur me ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit. Shkarkimi i Presidentit është një marrëdhënie mes Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që këto ditë do të vijnë dhe përfaqësuesit e Komisionit e Komisionit të Venecias për të vijuar procedurat”,- tha Manja.
Manja e tha në mënyrë të qartë se nisma e PS ndaj Metës është politike dhe jo ligjore. Madje ai shtoi se çdo vendim politik do të kushtëzohet nga Gjykata Kushtetuese dhe nga rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ndërkohë deputeti Alban Zeneli, i cili hyri në Kuvend nga listat e opozitës, tha se para se Kuvendi të marrë vendim do të ishte normale që të ishte ngritur Gjykata Kushtetuese.
“Nuk duhet të krijojmë praktikën e vakancave në institucione. Domethënë të shkarkojmë kreun e shtetit dhe më pas kur të ngrihet Gjykata Kushtetuese e vlerësojmë. A nuk do ishte më mirë që të presim Gjykatën Kushtetuese sa të ngrihet dhe më pas e votojmë. Nuk duhet të lejojmë krimin në vakanca institucionale”,- tha Alban Zeneli.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe deputeti i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi. Ai tha se do të ishte më e logjikshme pritja e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe më pas vijimi me procedurën e hetimit dhe shkakrimit.
Por kjo kërkesë nga ana e PS-së u cilësua si pezullim i hetimit dhe nuk mund të pranohet. Ndërkohë PS ka vijuar sot me rrëzimin e dekreteve të kreut të shtetit. Konkretisht janë miratuar dhe një herë ligjet e kthyera nga Presidenti Ilir Meta për koncesionet dhe vendimet e tjera abuzive të kësaj mazhorance.
Deputetja Vasilika Hysi tha se “mosngritja e Gjykatës Kushtetuese nuk pengon hetimin”. “Ne nuk varemi nga Gjykata Kushtetuese”,- tha Hysi. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe deputeti i PS-së në Skrapar, Adnor Shameti, i cili kërkoi që të mos ketë pezullim hetimesh.