“Zëri Amerikës”: Kryebashkiaku rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000

Në Shqipëri Partia Demokratike publikoi sot një dokument të autoriteteve greke që dëshmon sipas saj se kryetari aktual i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj, është dënuar me 3 vjet burgim në Greqi.

“Sipas vërtetimit me nr. Protokolli 405 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Edi Rama i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000. Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi, duke treguar dokumentin.

Dy ditë më parë, duke ju përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike zoti Ismailaj mohoi të ketë qenë ndonjëherë i dënuar, duke i qëndruar besnik deklarimit që ka bërë në formularin e plotësuar për kandidimin në postin e kryebashkiakut.

Zoti Bardhi, tha se sipas ligjit të dekriminalizimit, “ai nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit”, deklaroi zoti Bardhi.

Rasti i Ismailajt është i katërti ndërkryebashkiakët socialist të zgjedhur në 30 qershor, të cilët denoncohen nga opozita për të shkuarën e tyre. Fillimisht ishte kryebashkiaku i Shkodrës Valdrin Pjetri, ai i Vorës Agim Kajmaku, dhe më pas ai i Vaut të Dejës, Mark Babani, për të cilin prokuroria është në pritje të dokumentave të fundit nga Italia dhe Maqedonia e Veriut./VOA/

SHKARKO APP