“Zëri Amerikës” për rastin e gjyqtarit të gjykatës së lartë, Admir Thanza
Në Shqipëri të dhënat e grumbulluara nga Operacioni ndërkombëtar i Monitorimit, i cili mbikqyr dhe ndihmon procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, zbuluan sot se gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza ka qenë dënuar në vitin 1999 për vjedhje në Itali ku dhe është dënuar. Gjatë seancës dëgjimore, gjykatësi tha se kishte marë përsipër krimin për të ndihmuar një të afërm të tij, por ai e ka mbajtur të fshehur këtë fakt. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur probleme në të tre shtyllat e rivlerësimit, ndërkohë që gjyqtari Thanza rezulton të jetë hetuar dhe për korrupsion, në një çështje të mbyllur më pas nga prokuroria.
Ndërsa nuk ka mbushur ende 50 vjec, gjyqtari Admir Thanza ka patur një karrierë për t’u patur zili, me një ngjitje të shpejtë në majat e sistemit, nga anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në anëtar të Gjykatës Kushtetuese në moshën 40 vjeçare dhe aktualisht në Gjykatën e Lartë. Por sot, në seancën dëgjimore të procesit të rivlerësimit, ai pa se gjithshka rrezikon t’i shembet para syve. Atij i janë komunikuar probleme me pasuritë e deklaruara: fshehje të të ardhurave apo deklarime të rreme. Probleme janë konstatuar dhe në vlerësimin profesional, për mënyrën e administrimit të dosjeve. Ndërsa goditja më e madhe ka ardhur lidhur me integritetin e figurës së tij.
Ekspertët ndërkombëtarë që asistojnë procesin kanë zbuluar një fakt që ai e ka mbajtur fshehur prej shumë vitesh e që nuk e ka deklaruar as gjatë procesit të rivlerësimit. Në qershor të vitit 1999, ndërsa ishte në funksionin e gjyqtarit, ai është dënuar nga Gjykata e Pizës në Itali me 40 ditë burgim dhe 100 mijë lireta gjobë për vjedhje në bashkëpunim me të tjerë, madje ka qenë vetë i pranishëm në sallën e gjyqit kur është dhënë vendimi.
Gjyqtari e ka pranuar këtë ngjarje, duke shpjeguar se ai nuk e kishte kryer vjedhjen porse kishte marrë përsipër aktin e bërë nga kunata e tij për të shpëtuar nipin që ndodhej i shtruar në spital nga një sëmundje e rëndë, dhe nëse do të dënohej e ëma atëherë ajo do të kthehej në Shqipëri dhe nipi s’do kish patur mundësi kurimi.
Po ashtu ndaj tij, u bë i ditur dhe një tjetër fakt i vetëm para dy viteve të cilin ai sërish nuk e kishte deklaruar në formularët e vettingut. Për gjyqtarin Thanza, ka patur dhe një procedim penal për korrupsion. Ndërsa policia vëzhgonte të afërmin e një të dyshuar për një vepër penale, ajo ka filmuar takimin me gjyqtarin Thanza. Dyshimet kanë qenë për një pagesë e bërë në favor të tij që ai të ndërhynte për të lehtësuar pozitën e të akuzuarit në gjykatën e Shkodrës. Por çështja është mbyllur në korrik të vitit 2016 nga prokurori Kosta Beluri.
Koincidencë ose jo, prokurori Beluri kishte radhën sot pas gjykatësit Thanza që të dilte para Komisionit të pavarur të Kualifikimit. Ndërsa pasuria e tij ka rezultuar pa probleme, pushimi i çështjes ndaj Thanzës ka qenë pika e errët në procesin ndaj tij. Rreth këtij momenti janë vërtitur edhe pyetjet e trupës gjykuese, ndërsa prokurori ka deklaruar se çështja i ka kaluar atij dy muaj nga momenti i filmimit, gjë që e pamundësonte vërtetimin e korrupsionit të dyshuar. Sipas tij policia do të duhet të kishte ndërhyrë për të bërë ndalimin në flagrancë. Ai deklaroi gjithashtu se pamjet që i ishin vënë në dispozicion nuk kishin qenë të qarta, ndryshe nga ato që zotëron vetë KPK për ngjarjen, duke këmbëngulur më pas, se ishte i bindur se kishte vepruar drejt.
Por nëse shpjegimet e tij kanë qenë bindëse ose jo për Komisionin, kjo mbetet për t’u mësuar pas dy ditësh, ndërkohë që për Thanzën, vendimi do të jepet pas një jave/ VOA