“Zëri i Amerikës”: Afera e inceneratorëve në Shqipëri, shtohen dokumente në SPAK nga LSI

Nga “Zëri i Amerikës”-

Në Tiranë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka përgatitur një shtesë padie drejtuar Prokurorisë së Posaçme, SPAK lidhur me aferën korruptive të incineratorëve. Mes dokumentave të reja, bëhet fjalë për disa qindra fatura, përmes të cilave, sipas saj, u realizua një evazion fiskal mbi 180 milionë dollarë nga kompanitë e incineratorëve dhe 24 kompani më të vogla. SPAK ka deklaruar se po zhvillon hetime për të tre incineratorët në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se PS nuk mbron asnjë zyrtar, që kapet me shkelje nga këto hetime. Ish ministri i mjedisit, Lefter Koka dhe ish deputeti Alqi Bllako, janë arrestuar prej disa muajsh nën akuzat e korrupsionit dhe shpërdorim detyre.

Para se të dorëzojë shtesën e padisë në SPAK mbi aferën korruptive të incineratorëve, LSI publikoi një mori faturash dhe dokumentash të reja mbi evazionin fiskal deri në 189 milionë dollarë, të 24 kompanive të lidhura me kompanitë e incineratorëve dhe zyrtarët shqiptarë.

Eksertët e LSI-së kanë përpunuar një nga një disa qindra fatura nga librat e shitjeve dhe blerjeve të këtyre 24 kompanive, që janë bashkuar në skemën për evazion fiskal.

Kryetarja e LSI shfaqi para shtypit një mori dokumentesh nga 24 kompanitë, të cilavt, sipas saj, kanë bashkëvepruar në shtit-blerje fiktive me kompanitë e incineratorëve, për të realizuar evazionin fiskal, duke blerë miliona dollarë ushqime, ujë e fruta dhe kanë shitur inerte, asflat, hekur dhe beton.

Për të humbur gjurmët, sipas saj, kompanitë me biznese dhjetëra milionë dollarëshe u janë shitur disa të moshuarve pensionistë mbi 90 vjeç.

Nga ana tjetër, shteti, theksoi ajo, vazhdon të paguajë shumat e përditshme për llogari të kompanive të incineratorëve dhe dy përfaqësuesve të tyre, të shpallur në kërkim Klodian Zoton dhe Stela Gugallian.

“Kam bërë gati shtesë padie për të informuar me dokumente të reja, autentike, të faktuara të cilat ndihmojnë SPAK për inceneratorin e Tiranës. Ajo që është dhe llokma më e madhe, pjesa më e madhe e kësaj afere korruptive që nuk është e vetmja. Po kjo është rasti më flagrant kur kryeministri dhe qeveria janë kapur me presh në dorë”, thotë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

SPAK ka marrë tre denoncime për korrupsion nga PD dhe LSI për 3 inceneratorët në Tiranë, Elbasan dhe Fier qysh prej marsit të vitit të kaluar, 16 muaj marë parë.

Ish ministri i mjedisit, Lefter Koka, u arrestua në dhjetorin e kaluar nën akuzat e korrupsionit, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Tre muaj pas tij, SPAK arrestoi në mars ish deputetin Alqi Bllako nën akuzat e shëprdorim detyre dhe korrupsion.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe një grup zyrtarësh të tjerë privatë e shtetërorë, mes të cilëve përfaqësuesit e dy kompanive të incineratorëve.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se PS nuk është zyrë avokatie e askujt dhe se kushdo nëpunës, që dyshohet për shkelje ligji dhe korrupsion, i ka llogaritë personale me institucionet e drejtësisë.

Të njëjtin qëndrim zoti Rama mbajti edhe gjatë dëgjesës para komisionit hetimor parlamentar për incineratorët, ku hodhi poshtë si të pavërteta dyshimet e ngritura nga opozita për korrupsionin me afro 430 milionë euro nga fondet publike.

Pas disa muaj hetime, teksa mblodhi shumë dokumente dhe intervistoi 40 ministra, ish-ministra, ekspertë, administratorë, komisioni nuk arriti pothuaj asgjë, sepse shumica socialiste rrëzoi raportin e hartuar nga pakica opozitare në komision.

Paralel me komisionin hetimor të Kuvendit, SPAK ka deklaruar se po zhvillon hetime për të tre incineratorët.

Në njoftimin për arrestimin e ish ministrit Koka, SPAK përfshiu edhe të dhënat për marrje ryshfetesh prej tij. SPAK njoftoi se ish-ministri Koka ka shkelur procedurat dhe ka marrë ryshfet rreth 3.7 milionë eurosh, akuza që ai i ka mohuar, duke u shprehur se ka zbatuar vetëm ligjin.

Ndërtimet e 3 incineratorëve nisën 6 vjet më parë, fillimisht në Elbasan, më pas në Fier dhe kryeqytet, dhe gjatë gjithë kësaj kohe opozita ka protestuar dhe dyshuar për cdo procedurë.

SHKARKO APP